A ndihmon në rënien në peshë pirja e shpeshtë e ujit?

Nuk ka asnjë dyshim se uji luan një rol jetik në mirë-funksionimin e trupave tanë .Dhe kjo nuk është për t’u habitur, pasi 60 për qind e trupit të njeriut përbëhet nga ky lëng. Kështu, mushkëritë janë 83 për qind ujë, lëkura 64 për qind, madje edhe kockat 31 për qind.

Pastrimi përmes sistemeve tona të brendshme, uji lubrifikon artikulacionet, mbron organet e brendshme, rregullon temperaturën e trupit, dhe ndihmon në shpërndarjen e oksigjenit në të gjithë trupin. Por, a mund t’ju ndihmojë ai që të binin në peshë?Me pak fjalë po.

Ekzistojnë prova të besueshme shkencore që sugjerojnë që qëndrimi i hidratuar i trupit, mund të luajë një rol dhe t’ju ndihmojë të hiqni disa kilogramë të padëshiruara. Arsyeja e parë është mbase edhe më e thjeshta. Konsumi i kalorive pa ujë,mund t’ju pengojë të kërkoni alternativa që kanë më pak kalori.

Dhe kjo gjë funksionon në 2 mënyra. Së pari, shpjegon Tamara Uillner, nutricioniste në institutin e ushqimit të shëndetshëm “Second Nature”, “shpesh trupi ynë mund të gabojë në ndjesinë e etjes dhe atë të urisë”. Kjo do të thotë se pirja e një gote uji kur filloni të keni uri, mund t`ju qetësojë në mënyrë të natyrshme.

Në fakt, një studim i vogël me 15 adoleshentë i botuar në vitin 2018 në“Journal of Clinical Nutrition Research”, zbuloi se kur pjesëmarrësit pinin ujë para një vakti ushqimor, ata konsumuan shumë më pak ushqim. Ka edhe një arsye tjetër pse uji mund të ndihmojë në uljen e oreksit, shpjegon Uillner.

“Nëse pimë më shumë ujë sesa një pije me sheqer ose të ëmbëltuar artificialisht, atëherë kemi më pak gjasa të rrisim dëshirat tona për sheqer, gjë që ka një efekt të tërthortë mbi oreksin dhe peshën tonë.

Nëse duam më shumë ushqime të ëmbla, ka më shumë gjasa që t’i hamë ato, dhe për këtë arsye më shumë shanse që të shtojmë në peshë në planin afatgjatë”- thotë ajo. Një studim i vitit 2016, zbuloi se edhe ndryshimet e vogla mund të sjellin përfitime të konsiderueshme. Gjatë këtij studimi u vu re se kur amerikanët në moshë madhore, që përgjithësisht konsumojnë çdo ditë një sasi të caktuar pijesh me sheqer, i zëvendësuan ato pije me ujë,kjo reduktoi nga 17 në 11 për qind kaloritë e përgjithshme që vinin nga pijet.

Përveçse na ndihmon që të konsumojmë më pak kalori, ka edhe një arsye tjetër të fortë se përse hidratimi mund të na ndihmojë të djegim më shumë kalori. Kjo pasi edhe dehidratimi më i vogël (rreth 1 për qind më i ulët sesa niveli optimal) mund të shkaktojë ndjesinë e lodhjes, rënies së humorit dhe shpërqendrim, dhe asnjëra prej këtyre të fundit nuk ndihmon për energjinë dhe motivimin që kërkohet për të kryer aktivitetet fizike të nevojshme për djegien e kalorive.

Por në lidhje me metabolizmin?Disa studime kanë sugjeruar që lidhja midis konsumit të ujit dhe një efikasiteti më të madh të djegies së kalorive, mund të jetë edhe më integrale. Për shembull, një përmbledhje e vitit 2016 e botuar në revistën “Frontiers of Nutrition”, tregoi një lidhje midis niveleve të hidratimit dhe niveleve të rritura të lipolizës, procesi përmes së cilit shpërbëhen yndyrat në trup.

Është e rëndësishme të theksohet se studiuesit nuk e kuptojnë plotësisht arsyen. Studiuesit e studimit të vitit 2016, sugjeruan se kjo ndodh për shkak se uji e rrit vëllimin e qelizave, duke rritur kësisoj ndjeshmërinë e tyre ndaj insulinës, gjë që mund të çojë në devijimin e lëndëve ushqyese në muskuj,në vend se ato të ruhen si qeliza yndyrore.

Ose ndoshta sepse uji rrit ritmin e funksionit mitokondrial, dhe në këtë mënyrë e përshpejton  metabolizmin. Por studiuesit theksuan se nevojiten hetime të mëtejshme, sidomos duke pasur parasysh faktin që shumica e studimeve të cituara në atë rishikim përfshinin minjtë, dhe jo njerëzit.

E njëjta gjë vlen edhe për një studim të vitit 2003 të botuar në “Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism”. Studiuesit analizuan 14 burra dhe gra, që të gjithë me një peshë të shëndetshme, dhe studiuan lidhjen midis konsumit prej tyre të gjysmë litri ujë dhe sesa shpejt e harxhonin ato këtë energji (pra sa shpejt funksiononte metabolizmi i tyre).

Ata zbuluan se normat metabolike u rritën me 30 për qind, një rritje që filloi vetëm 10 minuta pas konsumimit të ujit. Por Uillner, thotë se gjetjet e studimeve të tilla, duhet të merren me rezerva. “Ka pak ose aspak prova shkencore të forta, që sugjerojnë se uji apo qëndrimi i hidratuar ka ndonjë ndikim në metabolizmin tonë”-thekson ajo.

Për më tepër, gjetjet e atij studimi janë kundërshtuar nga studimet e mëvonshme. “Një rishikim i mëvonshëm i më shumë provave, arriti në përfundimin se vetëm 3 nga 11 studime e mbështesnin teorinë se uji përshpejtonte metabolizmin”-thotë Uillner.

Atëherë, sa ujë duhet të pimë? Pavarësisht atyre që u lartpërmendën, ekziston ende një lidhje midis hidratimit dhe marrjes së kalorive – si dhe shëndetit në përgjithësi-ndaj konsumi i një sasia të madhe uji duhet të jetë pjesë e çdo plani të shëndetshëm dhe të moderuar për rënien në peshë.

Nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare mbi sasinë e ujit. Por disa ekspertë argumentojnë se përdorimi i etjes si një tregues për sa ujë kemi nevojë, është një mekanizëm shumë i mirë. Por nëse preferoni një shifër bazë, atëherë synoni të konsumoni rreth 11.5 gota (2.7 litra) për gratë dhe 15.5 gota (3.7 litra) për burrat, sipas rekomandimeve të Akademisë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë në SHBA.

Tek e fundit, edhe nëse i gjithë ai ujë nuk e zvogëlon menjëherë perimetrin e belit tuaj, të paktën e dini që do të përmirësoni të gjitha llojet e funksioneve të tjera trupore që ju mbajnë të shëndetshëm në planin afatgjatë.

Burimi i lajmit: https://www.discovermagazine.com/health/can-drinking-water-really-help-you-lose-weight?utm_source=feedburner&utm_medium=feed&utm_campaign=Feed%3A+discovercrux+%28The+Crux%29