E premte, 22 Janar, 2021
10 C
Tirana

A mund t’i besohet Amerikës së Xho Bajdenit?

Nga Joseph s.Nye, Jr “Project Syndicate”

Miqtë dhe aleatët janë bërë shumë mosbesues ndaj Shteteve të Bashkuara vitet e fundit. Besimi është i lidhur ngushtë me të vërtetën, dhe presidenti Donald Trump ka qenë shumë problematik në këtë aspekt. Të gjithë presidentët kanë gënjyer, por kurrë në një shkallë të tillë që të zhvlerësojnë fare besimin.

Sondazhet ndërkombëtare, tregojnë se fuqia e butë e Amerikës ka rënë ndjeshëm gjatë presidencës së Trump. A mundet që presidenti i zgjedhur Xho Bajden t`a rikthejë atë besim? Në planin afatshkurtër po. Një ndryshim i stilit dhe politikës, do të përmirësojë imazhin e Amerikës në shumicën e vendeve.

Trump bënte një përjashtim midis presidentëve të SHBA-së. Presidenca ishte puna e tij e parë në qeveri, pasi kaloi karrierën e tij në botën me “shumën zero” të pasurive të patundshme në Nju Jork dhe shfaqjeve televizive, ku deklaratat e ashpra tërheqin vëmendjen e medias dhe të ndihmojnë të diktosh axhendën.

Në të kundërt, Bajden është një politikan i sprovuar dhe me një përvojë të gjatë në politikën e jashtme,për shkak të disa dekadave në Senat dhe 8 viteve në postin zëvendëspresidentit. Që nga fitorja e tij në zgjedhje, deklaratat dhe emërimet e tij fillestare në kabinetin e tij, kanë pasur një efekt thellësisht qetësues për aleatët.

Problemi i Trump me aleatët nuk ishte parulla e tij “Amerika e Para”. Siç e kam argumentuar në librin tim “A ka rëndësi morali? Presidentët dhe politika e jashtme nga Ruzvelti tek Trump”, presidentëve u është besuar promovimi i interesit kombëtar. Dhe çështja më e rëndësishme morale, është sesi e përcakton interesin kombëtar një president.

Trump zgjodhi disa përkufizime të ngushta transaksionale, dhe sipas ish-këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, Xhon Bolton, ngatërronte ndonjëherë interesin kombëtar me interesat e tij personale, politike dhe financiare. Ndërkohë, shumë presidentë amerikane që nga Herri Truman, që kanë pasur një vizion të gjerë të interesit kombëtar, dhe nuk e ngatërruan atë me interesin e tyre.

Truman pa që ndihma për të tjerët ishte në interesin kombëtar të SHBA-së, dhe madje la mënjanë egon e tij duke e emërtuar Plani Marshall, planin e madh të ndihmës për rindërtimin e Evropës së pas luftës.

Në të kundërt, Trump nuk i përfillte aleancat dhe multilateralizmin, sjellje që ai e shfaqte hapur, në takimet e G7 apo NATO-s. Edhe kur ai ndërmori veprime të dobishme për t’iu kundërvënë praktikave abuzive të tregtisë nga ana e Kinës, ai nuk arriti që të koordinojë presionin mbi Kinën.

Madje në vend të kësaj vendosi tarifa shtesë mbi aleatët e SHBA-së. Ndaj nuk është e habitshme që shumë prej tyre menduan se kundërshtimi i Amerikës ndaj gjigantit të teknologjisë kineze Huauei, motivohej më shumë nga shqetësime të natyrës tregtare sesa nga siguria.

Dhe tërheqja e Trump nga Marrëveshja e Parisit mbi Klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë,kanë shkaktuar mosbesim në lidhje me angazhimin amerikan për t’u përballur me kërcënimet globale transnacionale si ngrohja globale dhe pandemitë.

Plani i Bajden për t’iu ribashkuar të dyjave, dhe garancitë e tij rreth NATO-s, do të kenë një efekt të menjëhershëm përfitues mbi fuqinë e butë të SHBA-së. Por sërish, Bajden do të përballet me një problem më të thellë të besimit. Shumë aleatë po pyesin se çfarë po ndodh me demokracinë amerikane.

Si mund t’i besohet një vendi, që prodhoi një udhëheqës politik aq të çuditshëm sa Trump në vitin 2016, që të mos prodhojë një tjetër të ngjashëm në vitin 2024 apo 2028? A po e bën të pabesueshëm këtë vend demokracia në rënie?

Lexo edhe :   Pas Trumpit, evropianët nuk kanë më besim tek aleanca me SHBA-në

Rënia e besimit tek qeveria dhe institucionet e tjera që nxitën ngritjen e Trump, nuk filloi me këtë të fundit. Besimi i ulët tek qeveria, ka qenë një sëmundje e SHBA-së për të paktën gjysmë shekulli. Pas suksesit në Luftën e Dytë Botërore, treçereku i amerikanëve thoshin se kishin shumë besim tek qeveria.

Ajo ra me afro çerekun pas Luftës së Vietnamit dhe skandalit Uotergejtit të viteve 1960-1970. Por prova ndoshta më e mirë e forcës dhe qëndrueshmërisë themelore të kulturës demokratike amerikane ishin zgjedhjet e vitit 2020.

Lexo edhe :   Presidenti Biden nënshkruan tre dokumentat e para

Përkundër pandemisë më të keqe në një shekull, dhe parashikimeve të tmerrshme mbi kaosin në procesin e votimit, në proces morën pjesë një numër rekord votuesish, dhe mijëra zyrtarë lokalë – republikanë, demokratë dhe të pavarur – që administruan zgjedhjet, e konsideruan si një mision qytetar zbatimin me ndershmëri të detyrës të tyre.

Në Xhorxhia, të cilën Trump e humbi për pak vota, sekretari republikan i shtetit, përgjegjës për mbikëqyrjen e zgjedhjeve, i sfidoi kritikat e pabazuara nga Trump dhe republikanët e tjerë, duke deklaruar: “Unë jetoj me moton që numrat nuk gënjejnë!”.

Paditë gjyqësore të Trump me pretendimin e manipulimeve të mëdha, duke mos pasur asnjë provë për t’i mbështetur ato, nuk u pranuan nga gjykatat, përfshirë edhe gjykatësit që kishte emëruar vetë Trump. Dhe republikanët në Miçigan dhe Pensilvani, i rezistuan përpjekjeve të tij që ligjvënësit e shtetit të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve.

Përkundër parashikimeve të së majtës për katastrofë, dhe parashikimeve të së djathtës për manipulim, demokracia amerikane e tregoi forcën dhe rrënjët e saj të thella. Por amerikanët, përfshirë Bajden, do të përballen me shqetësimet e aleatëve, nëse mund t’u zihet besë se nuk do të zgjedhin një tjetër Trump në vitin 2024 ose 2028.

Ata e shohin polarizimin e partive politike, refuzimin e Trump për të pranuar humbjen,dhe refuzimin e republikanëve në Kongres për t`a kritikuar sjelljen e tij, duke njohur fitoren e Bajden. Trump e ka përdorur bazën e tij të mbështetësve të zjarrtë për të fituar kontrollin e Partisë Republikane, duke kërcënuar të mos mbështesë të moderuarit në garat e tyre. Gazetarët raportojnë se rreth gjysma e republikanëve në Senat e përbuzin Trump, por gjithashtu i frikësohen atij.

Nëse Trump do të përpiqet të mbajë kontrollin mbi partinë pasi të largohet nga Shtëpia e Bardhë, Bajden do të përballet me detyrën e vështirë të të punuarit me një Senat të kontrolluar nga Republikanët. Për fatin e mirë të aleatëve të SHBA-së, ndërsa aftësitë politike të Bajden do të testohen, Kushtetuta Amerikane i jep një presidenti më shumë liri veprimi në politikën e jashtme sesa në politikën e brendshme.

Prandaj përmirësimet afatshkurtra në aspektin e bashkëpunimit do të jenë reale. Për më tepër, ndryshe nga viti 2016, kur u zgjodh Trump, një sondazh i fundit i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale tregon se 70 për qind e amerikanëve duan një politikë të jashtme bashkëpunuese të orientuar nga jashtë.

Por pyetja e vjetër nëse aleatët mund t’i besojnë Amerikës,se nuk do të prodhojë një tjetër Trump në të ardhmen, nuk mund të marrë një përgjigje të sigurt. Shumë gjëra do të varen nga kontrolli i pandemisë, rimëkëmbja e ekonomisë, dhe aftësia politike e Bajdenit në menaxhimin e polarizimit politik të vendit.

Burimi i lajmit: https://www.project-syndicate.org/commentary/can-joe-biden-restore-trust-in-america-by-joseph-s-nye-2020-12

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Krizë totale, Liverpooli humbet ndaj modestëve të Anglisë

Liverpooli është në krizë totale! Ekipi i Jurgen Klopp u mposht në shtëpi nga modestët e Burnleyt me rezultatin 0-1 duke lënë 3 pikë...

Vrasja e Aleks Nikës, Balla: Predha u dëmtua qëllimisht me urdhër të Berishës

10 vite pas vrasjes së katër protestueve në vrasjen e 21 janari të vitit 2019, Policia e Tiranës ka kërkuar ditën e sotme rifillimin...

Gazetarët po rrezikohen nga gjuha e partive politike

Një sondazh i bërë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga RTV Dukagjini ka nxitur dy partitë politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike...

Deputeti i PS: Isha 2 m larg Aleks Nikës në 21 janar, e pashë se kush e vrau

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ka bërë një deklaratë të fortë, ku është shprehur se ka qenë shumë afër me Aleks Veizin në...

Sondazhi/ PS do të fitonte zgjedhjet nëse do të mbaheshin sot

Nëse zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvilloheshin sot, një sondazh i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB, zbuloi se 41.8...