A mund të shkaktojë vërtet dhimbje koke moti i keq?

Nga: Amanda Ellison “The Conversation”

Ne të gjithë njohim dikë që pretendon se mund ta parashikojë motin me trupin e tij. Ky mund të jetë i afërmi juaj që vuan nga artriti, dhe që pretendon se e di që do të bjerë shi sa herë që i dhembin gjunjët, apo shoku juaj i ngushtë që kur i dhemb koka, thotë se me siguri po afrohet një stuhi.

Pasi kam shkruar një libër mbi dhimbjet e kokës, dëgjoj shumë nga njerëzit që takoj për dhimbjet e kokës, të cilat i lidhin me motin. Në fakt ekziston një bazë shkencore se përse disa njerëz janë në gjendje të ndiejnë ndryshimet e motit nga dhimbjet e kokës që shkaktojnë ato.

Ndërsa është e vështirë të thuhet se sa njerëz vuajnë nga dhimbja e kokës në lidhje me motin, studimet tregojnë se mbi 60 për qind e njerëzve që vuajnë nga migrena, mendojnë se janë të ndjeshëm ndaj motit. Në vitin 2015, studiuesit që analizuan shifrat e shitjeve ditore të një ilaçi për dhimbjen e kokës në Japoni, panë se shitjet arrinin kulmin kur ulej presioni mesatar barometrik.

Kjo gjë shpesh ndodh para motit të keq. Po pse ndodhin këto dhimbje koke? Në këtë rast ekzistojnë dy mekanizma në veprim. I pari ka të bëjë me sinuset, 4 zgavrat e vogla të mbushura me ajër në kockat e fytyrës. Ashtu si veshët e njerëzve që “hapen” kur ndryshon presioni i ajrit, edhe ndryshimet e presionit atmosferik mund të krijojnë një çekuilibër në presionin e sinusit, duke shkaktuar inflamacion dhe dhimbje.

Kjo gjë përjetohet ndryshe në varësi të sinusit që preket më shumë, duke filluar nga dhimbja e ballit, dhimbja midis dhe prapa syve tuaj, dhimbja në fytyrë, apo një dhimbje koke më e përhapur në pjesën e përparme ose të pasme të kokës tuaj.

Mënyra tjetër sesi ndodh kjo lloj dhimbje koke, ka të bëjë me mënyrën përmes së cilën presioni e ndryshon rrjedhën e gjakut në sistemin cerebrovaskular, që kontrollon sesi qarkullon gjaku rreth kokës tuaj. Gjaku është shumë toksik për neuronet, ndaj është shumë e rëndësishme që gjaku të mbahet i ndarë nga truri.

Enët e gjakut të sistemit cerebrovaskular, kanë receptorë që aktivizohen nëse enët e gjakut zgjerohen shumë, duke vepruar si një sistem paralajmërues i hershëm se diçka nuk është në rregull. Ne e perceptojmë si dhimbje koke këtë aktivizim.

Por presioni atmosferik në rënie i lidhur me motin e keq, nuk është gjëja e vetmja gjë që mund të na ndikojë. Edhe rritja e lagështirës, mund të shkaktojë dhimbje koke përmes sinuseve tona. Kjo pasi lagështia e madhe, mund të rrisë sasinë e mukusit të prodhuar nga rreshtimi i sinuseve në mënyrë që të bllokojë alergjenët, pluhurin dhe grimcat e ndotjes, të cilat janë të bollshme në ajrin e dendur dhe të lagësht.

Kjo mund të shkaktojë mbingarkesë, inflamacion dhe shqetësim në sinus, duke çuar shpesh në një dhimbje koke të sinusit. Gjithashtu vlen të përmendet fakti që dhimbjet e kokës ndodhin rrallë vetëm nga një shkak. Dhe ndryshimet në presionin atmosferik nuk mund të shkaktojnë gjithmonë dhimbje koke.

Qëndrimi i keq dhe inflamacioni në trup (zakonisht si rezultat i stresit), mund të shkaktojnë dhimbje koke. Muskujt që kontraktohen për periudha të gjata kohore, kanë nevojë për më shumë rrjedhje të gjakut për t’u furnizuar me oksigjen dhe lëndë të tjera ushqyese, dhe kjo është shenja dalluese e inflamacionit me kalimin e kohës.

Stresi rrit nivelet e adrenalinës dhe kortizolit në trupin tonë, gjë që mund të shkaktojë gjithashtu inflamacion dhe të zgjerojë enët e gjakut në kokën tuaj, duke çuar në dhimbje koke. Qëndrimi në mënyrën e duhur dhe zvogëlimi i stresit, mund të ndihmojnë në parandalimin e dhimbjeve të kokës.

Qëndrimi të hidratuar dhe pasja e një diete të larmishme ushqimore, që përmban minerale thelbësore dhe vitamina, si dhe shmangia e ushqimeve dhe pijeve, do të ndihmojë gjithashtu në këtë aspekt.

Kur afrohet moti i keq, një përtypje e fuqishme (si për shembull e një çamçakëzi) mund të ndihmojë në baraspeshimin e presionit në sinuset tuaja përmes gojës, hundës dhe tubit Eustachian (që shkon nga veshi i mesëm në fyt, dhe që është në fakt i rëndësishëm në barazimin e presionit) – dhe mund të largojë një dhimbje koke të shkaktuar nga ndryshimi i presionit atmosferik.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/can-bad-weather-really-cause-headaches-158258

Përshtatur nga TIRANA TODAY