A mund ta pengojnë vaksinat transmetimin e Covid? Ja çfarë thonë shkencëtarët

Nga: Smriti Mallapaty “Nature”

Ndërsa vendet po shpërndajnë në popullatë vaksinat që parandalojnë prekjen nga Covid-19, paralelisht janë duke u zhvilluar një mori studimesh, për të përcaktuar nëse këto vaksina mund të parandalojnë gjithashtu që njerëzit të infektohen dhe ta transmetojnë virusin SARS-CoV-2.

Nëse u injektohet një numri të mjaftueshëm njerëzish, vaksinat që parandalojnë transmetimin, mund të ndihmojnë për ta vënë nën kontroll pandeminë aktuale. Analizat paraprake sugjerojnë se të paktën disa vaksina ka të ngjarë të kenë një efekt bllokues të transmetimit të koronavirusit të ri.

Por konfirmimi i këtij efekti – dhe sa i fortë do të jetë ai – është një proces i ndërlikuar, pasi një rënie e infeksioneve në një rajon të caktuar, mund të shpjegohet nga faktorë të tjerë, si bllokimet apo edhe ndryshimet e sjelljeve të njerëzve.

Jo vetëm kaq, virusi mund të përhapet nga bartësit asimptomatikë të Covid-19, gjë që e bën të vështirë zbulimin e këtyre infeksioneve. “Këto janë ndër llojet më të vështira të studimeve”- thotë Mark Lipsit, epidemiolog i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik Harvard në Boston.

Rezultatet nga disa prej këtyre studimeve pritet që të bëhen publike gjatë javëve të ardhshme. Edhe pse shumica e testeve klinike, treguan se vaksinat e parandaluan sëmundjen, disa rezultate ofruan gjithashtu të dhëna se vaksinat mund të parandalonin edhe transmetimin e infeksionit.

“Një vaksinë që është shumë e efektshme në parandalimin e marrjes së infeksionit nga njerëzit, do të ndihmonte në uljen e transmetimit në komunitet, thotë LerriKorej, vaksinolog në Qendrën Kërkimore të Kancerit “Fred Hutchinson” në Siatëll, SHBA.

Gjatë testeve me vaksinën e kompanisë Moderna, prodhuar në Boston, studiuesit morën mostra nga të gjithë pjesëmarrësit për të parë nëse kishin ndonjë ARN virale. Ata vërejtën një rënie me 2/3 numrit të infeksioneve asimptomatike midis njerëzve që morën dozën e parë të vaksinës me dy doza, krahasuar me ata që morën një placebo.

Por ata i testuan njerëzit vetëm 2 herë, me një distancë 1 mujore, ndaj mund të kenë humbur shumë nga infeksionet reale. Ndërkohë,në Britani testet të vaksinës së prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, analizuan çdo javë pjesëmarrësit në të, duke konstatuar një rënie me 49.3 për qind të infeksioneve asimptomatike midis një nëngrupi pjesëmarrësish të vaksinuar, krahasuar me grupin e të pa vaksinuarve.

Kompania Pfizer, me seli në Nju Jork dhe prodhuese e një tjetër vaksine kryesore kundër Covid-19, thotë se do të fillojë të analizojë pjesëmarrësit çdo 2 javë në testet që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara dhe Argjentinë, për të parë nëse vaksina e saj mund ta parandalojë apo jo infeksionin.

Lexo edhe :   ''Shqipëria buzëqesh''/ Manastriliu: Sot janë kryer mbi 19 mijë vaksinime

Ka të ngjarë që vaksinat të mos i ndalin apo zvogëlojnë ndjeshëm shanset e infektimit me Covid-19. Por gjithsesi vaksina mund t’i bëjë njerëzit e infektuar më pak të aftë për ta përhapur më tej virusin, ose t’i bëjë ata më pak infektues, duke zvogëluar kësisoj edhe transmetimin në komunitet.

Disa grupe kërkimore në Izrael, janë duke matur “ngarkesën virale”, përqendrimin e grimcave virale tek njerëzit e vaksinuar që më vonë rezultojnë pozitivë ndaj  SARS-CoV-2. Ata kanë zbuluar se ngarkesa virale, është një tregues i mirë në lidhje me infektivitetin.

Paraprakisht, një nga ekipet studimore vuri re një rënie të ndjeshme të ngarkesës virale tek një numër i vogël njerëzish të infektuar me SARS-CoV-2, 2-4 javë pasi kishin marrë dozën e tyre të parë të vaksinës Pfizer, krahasuar me ata që u prekën nga koronavirusin gjatë 2 dy javëve të para pas injeksionit të dozës së dytë.

“Të dhënat janë sigurisht intriguese dhe sugjestionuese, se vaksinimi mund të zvogëlojë infektivitetin, edhe në rast se nuk e parandalon plotësisht infeksionin”-thotë Virginia Picer, një modeluese e sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Jeil, SHBA.

Edhe testet e Oxford-AstraZeneca, kanë vënë gjithashtu re një zvogëlim më të madh të ngarkesës virale tek një grup i vogël i pjesëmarrësve të vaksinuar sesa në grupin e të pa vaksinuarve. Por studiuesit theksojnë se nëse këto rënie të vërejtura të ngarkesës virale janë të mjaftueshme apo ajo për ta bërë dikë më pak infektues në jetën reale, kjo gjë nuk është ende e qartë.

Për të vërtetuar nëse vaksinat e parandalojnë transmetimin e Covid-19, studiuesit po ndjekin kontaktet e ngushta të njerëzve të vaksinuar, për të parë nëse ata po mbrohen indirekt nga infeksioni. Si pjesë e një studimi të vazhdueshëm mbi qindra punonjës të kujdesit shëndetësor në Angli, të njohur si PANTHER, studiuesit në Universitetin e Notinghemit, testuan punonjës të kujdesit shëndetësor dhe njerëzit me të cilët ata jetuan për nivelin e antitrupave SARS-CoV-2 dhe ARN virale, midis muajve prill dhe gusht të vitit të kaluar, pra gjatë kohës së valës së parë të pandemisë.

Tani ata do të ri-analizojnë disa prej tyre pasi të marrin vaksinën Pfizer, si dhe kontaktet e tyre të ngushta që nuk do të jenë vaksinuar, për të parë nëse është ulur rreziku i infeksionit për kontaktet e ngushta, thotë Ana Valdes, epidemiologe gjenetike në këtë universitet. Nëse rreziku zvogëlohet, kjo do të thotë që vaksinat ndoshta po e parandalojnë transmetimin, thotë Valdes.

Burimi i lajmit: https://www.nature.com/articles/d41586-021-00450-z

Përshtatur nga TIRANA TODAY