Nga Xhorxh Friedman “Geopolitical Futures”
Në një intervistë dhënë kohët e fundit, dr.Entoi Fauçi u pyet nëse ishte i sigurt se Covid-19 u zhvillua natyrshëm. Ai kishte deklaruar prej kohësh se ndonëse skenari i një virusi të krijuar nga vetë njeriu nuk ishte e pamundur, ai kishte me shumë gjasa të ishte një produkt i evolucionit natyror.
Por kësaj here ai tha diçka interesante:“Jo, në fakt unë nuk jam i bindur për këtë. Mendoj se ne duhet të vazhdojmë që të hetojmë atë që ndodhi në Kinë, derisa të zbulojmë se çfarë ka ndodhur”. Pra, ai ngriti mundësinë e origjinës jo-natyrore të koronavirusit, dhe për këtë arsye të një projekti qëllimkeq.
Unë nuk promovoj asnjëherë teoritë e konspiracionit, por puna ma kërkon shpesh që të bëj “avokatin e djallit“. Prandaj le ta bëjmë këtu. Merrni parasysh edhe informacionet shtesë mbi këtë çështje. Menjëherë pasi u bë publike deklarata e Fauçit, gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, raportoi një histori në lidhje me një rrjedhje të informacioneve sekrete, sipas të cilave në nëntorin e vitit 2019,3 studiues në një laborator të Vuhanit u shtruan në spital me simptoma të ngjashme me të Covid-19.
Pra,një muaj para se Kina të raportonte zyrtarisht rastet e para. Ajo çka nënkuptohet në informacionin konfidencial është ideja se të tre burrat e morën sëmundjen në laborator, dhe se qeveria kineze e dinte se ata ishin sëmurë. Koha e publikimit të këtij fakti është shumë interesante.
Më duket se Fauçi e bëri këtë deklaratë me miratimin e Shtëpisë së Bardhë. “The Wall Street Journal” thotë se synimi është të detyrohet Organizata Botërore të Shëndetësisë, që do të mblidhet së shpejti, të rishikojë përfundimin e saj se koronavirusi ishte rezultat i shkaqeve natyrore.
Një shpjegim tjetër i mundshëm, është se kjo mund të jetë një përpjekje e Shtëpisë së Bardhë për t’ia bërë të ditur Kinës se e dinte të vërtetën gjatë gjithë kohës, por lejoi që gjërat të vazhdonin ashtu siç vijuan për të mos i përkeqësuar marrëdhëniet dypalëshe.
Pra thënë ndryshe, ishte një gjest që synoi ta lejonte Kinën të dilte e pastër nga kjo histori. Gjatë gjithë fushatës, Xho Bajden sulmoi Donald Trump mbi gjithçka (siç bëjnë gjithmonë sfidantët në një garë), përfshirë akuzën e Trump mbi përgjegjësinë e Kinës për virusin. Nëse për ndonjë arsye Kina ishte në fakt përgjegjëse për origjinën e kësaj pandemia, atëherë do të kishte shumë kuptim që Bajden të përpiqej të dilte përpara historisë pa u dukur plotësisht budalla.
Nëse kinezët e fabrikuan këtë vius, nuk më duket se kjo ka ndodhur për të fshehur paaftësinë dhe madje budallallëkun e tyre. Një nga armët strategjike të Kinës është vizioni që përfshin miliona ekspertë, të cilët punojnë me synimin e qartë të dominimit të botës.
Në fakt, Kina ka shumë njerëz të zgjuar, dhe ndërton ndonjëherë industri shumë të suksesshme, por ajo bën edhe gabime si gjithën e të tjerët. Nëse virusi është fabrikuar në një laborator dhe ka dalë aksidentalisht prej andej, kjo duket më shumë si një paaftësi, dhe paaftësia është e vetmja të cilën Kina nuk ka luksin që ta zbulojë.
Ndoshta ajo nuk e dinte se çfarë po krijonte, dhe nuk e dinte se çfarë do t’i shkaktonte botës. Por e kuptonte se do të dukej si një regjim budalla nëse zbulon të vërtetën, diçka që nuk kanë luksin ta bëjnë as drejtuesit në laborator dhe as më vonë Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Kineze.
Kina u përpoq të mbulonte gabimin, dhe gjithçka doli jashtë kontrollit. Por asnjë nga këto shpjegime nuk i jep përgjigje pyetjes se pse Kina do të krijonte një virus të tillë. Prodhimi i një arme biologjike mund të jetë shumë joshës për disa qeveri.
Por “plumbat”e armëve të tilla mund të kthehen dhe të godasin edhe përdoruesin e armës. Pse duhej zhvilluar diçka që do të godiste në mënyrë të pashmangshme Kinën, ashtu si edhe pjesën tjetër të botës? Nëse Kina po i prodhonte këto gjëra si një ndërmarrje thjesht intelektuale, pse të mos i bënte ato jashtë zonave të mëdha metropolitane?
Nëse kinezët e fabrikuan vërtet virusin, ata ishin ose plotësisht të paaftë ose injorantë ndaj asaj që kishin prodhuar. Por unë nuk mendoj se kinezët janë budallenj. Dalja aksidentale e virusit duket më e besueshme sesa lëshimi i qëllimshëm i virusit për të sëmurur qytetarët e tu, sidomos duke pasur parasysh faktin që nëse Kina është e aftë të prodhojë diçka të tillë, ajo është ndoshta e aftë që ta përdorë atë kundër armiqve të saj.
Dhe kjo më çon tek argumenti tjetër. Nëse virusi do të ishte krijuar për të shkatërruar botën, dhe për t’i dhënë mundësi Kinës të shfaqej si një hegjemone globale, Pekini do të ishte ende fajtor për injorimin e faktit se është eksportuesi më i madh në botë.
Kina varet nga eksportet për të ruajtur ekonominë e saj. Vrasja e klientëve tuaj është një biznes i keq, dhe në fakt pandemia po e dëmton ekonominë kineze po aq sa po dëmton edhe të tjerët. Sigurisht, ekziston mundësia që virusi të ketë depërtuar tek njerëzit ashtu siç ndodh ndonjëherë.
Unë nuk e di se çfarë përmbajnë saktësisht raportet e shërbimit sekret dhe as pse ka një ndryshim të ngadaltë të retorikës nga Shtëpia e Bardhë. Por di të them se qasja e re mund të ndryshojë në mënyrë të pariparueshme opinionin publik për Kinën.
burimi: https://geopoliticalfutures.com/covid-19-made-in-china
Përshtatur për Tirana Today