Intervistoi: Marsela Sinani
Për ditë me radhë, e gjithë shoqëria shqiptare u përball me fytyrat e 5 përdhunuesve. Pati një tronditje të madhe, e menjëherë qytetarët u bënë bashkë, duke ngritur zërin e tyre ndaj këtij gjesti të ulët. Një protestë në Tiranë, e cila kishte si kryefjalë ‘abuzimet seksuale’, pa dashur i vodhi vemendjen protestuesja nudo në sheshin “Skënderbej”. Me sloganin “Mos ma vrit fëmijërinë”, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skëndërbej” dhe më pas marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me thirrjet “Ne jemi me ty”, “Ti s’je vetëm”, ata kërkuan reagimin e institucioneve shtetërore, për t’i dhënë dënimin më të madh abuzimit seksual.
Protesta kulmoi kur një nga vajzat pjesëmarrëse në këtë tubim u zhvesh nudo në sheshin “Skënderbej”, për të sensibilizuar shoqërinë kundër këtij fenomeni. Abuzimi seksual me një 15-vjeçare i zbuluar në Mirditë para disa ditësh, ka ngjallur reagime të forta në shoqërinë shqiptare.
Duke marrë shkas nga kjo situatë, për fat të keq e ripërsëritur, i jemi drejtuar një tjetër zëri me po kaq peshë, për të na demostruar se çfarë nuk shkon me shoqërinë shqiptare. “Tirana Today” ka kontaktuar me psikologen Suareza Nakuçi e Lorela Garuli sociologen Marsi Simo dhe Entela Binjaku.
Burrat përdhunojnë e vrasin gratë. Kemi një problem me burrat! Gratë nuk përdhunohen, nuk dhunohen e nuk vriten! Një dhimbje për atë vajzë, një njollë që do e shoqërojë tërë jetën, pasi ky është realiteti i trishtë në të cilën jetojmë. Të dhunuarin e tregojnë me gisht, ndërsa fajtorin e bëjnë VIP!
Psikologia Suareza Nakuçi
“Më vjen keq Marsela që ritakimi ynë përsëri na përball me këtë fenomen. Nuk do doja kurrë të dëgjoja histori të tilla therëse të përsëritura rishtas. Kam ndjekur me vëmendje gjithë dinamikën e ngjarjes, dhe sigurisht vazhdoj të mbetem e tronditur, por jo e surprizuar. – Ju më bëtë një pyetje të drejtpërdrejtë; “A e rregullon vetëm protesta situatën në fjalë”. Protestat janë dëshmi e qartë se mentaliteti, prosperiteti i kësaj shoqërie duhet të ndryshojë, dhe se NE jemi qenie që i përkasim vetëm vetes sonë. Ne vijmë në jetë përmes një akti lirie, por a i kemi mësuar NE qytetarit këtë qasje? A kemi qenë kulturalisht gati për të pasur në zotim individi vetë lirinë e tij? Pyetjet dhe pikëpyetjet janë të shumta, por protestat duhen bërë më të shpeshta për të vendosur të drejtat e individit/njeriut në pah, e që kjo shoqëri mos ti harroj kurrë. Guximi në vetvete është liri, liri për të mposhtur frikën dhe për të dashur veten. Protestat do zgjonin dhe një herë nga “gjumi” çdo qelizë njerëzore, duhet mësuar dhe çrrënjosur çdo guxim për inicativa të tilla neveritëse, duke ushtruar trysni mbi shoqërinë dhe zhdukjen e një shoqërie që prodhon fenomene të tilla”.
–Cili është raporti midis fëmijës dhe shkollës?
“Unë jam prind i tre fëmijëve, dhe kur më është dashur të vendos lidhur me shkollën fëmijëve, mu desh një kohë e gjatë për të studiuar me vëmendje lidhur jo vetëm me programin çfarë ofronte shkolla, por lidhur me perspektivën që kishte shkolla për të nxjerrë në jetë një fëmijë që pas do të jetë një i rritur, vendimarrës apo një qytetar. Në takimin me drejtuesen e këtij institucioni, një nga argumentet që mua më bindi të vendos ishte: “Ne nuk pretendojmë t’i bëjmë të gjithë fëmijët e shkëlqyer, por qytetarë të shkëlqyer po!”. Aty vendosa që kjo do të jetë shkolla ku unë do edukoj fëmijët e mi. E tregova gjithë këtë ndodhi personale, për të treguar se marrëdhënia me shkollën është shumë e rëndësishme, madje unë e paralelizoj baraz me familjen. Për mua personalisht nuk ka fëmijë apo adoleshent të mire apo të këqij, por ka fëmijë të padëgjuar dhe neglizhuar nga prindi dhe mësues të pa motivuar për të punuar me fëmijët siç është misioni i tyre. Në vendin tonë të vogël, por shumë të madh për sa i përket problematikave, bëhen pafund reforma në arsim por asnjëherë nuk është servirur një studim sa ndikojnë në motivimin e nxënësve dhe mësuesve. Shkolla duhet të jetë institucion i cili promovon qytetarinë, vlerat të nxënit, jo institucion ku bëhet ‘një sy qorr dhe një vesh shurdh’. Duhet të jetë institucion edukues dhe një udhërrëfyes për jetën”.
Psikologia Lorela Garuli
Teksa e pyetëm lidhur me atë që ‘shoqëria shqiptare’ mund të cilësohet si e sëmurë, psikologia e sheh në një tjetër këndvështrim.
“Lidhur me ngjarjen e fundit të abuzimeve seksuale që normalisht tronditin opinionin publik sa herë bëhen të njohura, dalin detajet, ka shumë vend për analizë. Nuk besoj se do bënim mirë ta konsideronin shoqërinë shqiptare të sëmurë.
Absolutisht, unë e shoh në dy plane. E para, plani psikologjik, pra pjesa e komunikimit të duhur. Që do të thotë; duhet të ketë në shkolla, mes shumë lëndëve që fëmijët mësojnë, lëndë që kanë të bëjnë me inteligjencën emocionale, me edukimin e emocioneve, mënyra se si ndihen. Menaxhimin e konflikteve, zemërimit, për të rritur atë pjesë të shëndetit mendor që ne e neglizhojmë”.
Sociologia Marsi Simo
“Protesta është simbol i mos kthimit në normalitet i një fenomeni i cili po gëlon në shoqërinë tonë. Kjo do të thotë se në krahasim me të paktën 5 vite më parë ku protestat ishin të pakta për këtë aspekt dhe mezi grumbulloheshin as 100 persona, së fundmi po formohet një kulturë e të protestuarit. Protestat organizohen në ato shoqëri të cilat ngrenë zërin, edhe për ata që nuk munden. Po ashtu protesta nuk mund të ndryshojë realitetin, por e shkund atë. Me anë të protestës përçohet mesazhi tek personi më i thjeshtë deri tek ai që harton e miraton ligje. Edhe pse vonë, më në fund jemi duke reaguar, dhe në protesta së fundmi ka dhe djem edhe burra. Pasi lufta për të drejtat e grave është edhe për të drejtat e djemve. Ndaj në vijim të protestave, kemi nevojë për rishikim të ligjeve duke rritur dënimet në Kodin Penal, si dhe fuqizimin e institucioneve ku bëhen denoncimet që çdo kush të ndihen i sigurte kur të denoncojë abuzuesin apo dhunuesin.
Nëse shohim në tërësi sipas programeve të hartuara në letra, raporti që ka fëmija si nxënës me shkollën, duket sikur është shumë i ngushtë. Shumë shpesh mund të haseni me termat “Shkolla me në qendër nxënësin”, por kjo ka shumë hallka të këputura që të realizohet. Në realizimin e frytshëm të këtij programi, duhet një bashkëpunim i mirë dhe i vazhdueshëm edhe nga mësuesit por edhe nga prindërit. Jo pak herë prindërit janë neglizhent dhe vetëm presim nga shkolla. Edukimi nis nga familja e vazhdon të përforçohet në bankat e shkollës. Nëse një fëmijë nuk e merr sensin e edukatës për të respektuar rregullat që në familje, rrjedhimisht ai nuk di as respektin e ligjit në shoqëri”.
Sociologia Entela Binjaku
A e rregullon vetëm protesta situatën në fjalë?
“Protestat nuk janë në traditën tonë. Nuk kemi arritur as në 30 vite liri të reagojmë përmes të protestuarit: as në kulturën tonë të trashëguar nuk gjejmë modele të qytetarit që proteston për padrejtësitë, as në të tashmen tonë nuk organizohemi dot duke mos mundur të ngremë një bazë për protestuesit e së nesërmes. Arsyet për këtë janë të shumëllojshme. E vetme një protestë disa orëshe në qendër të kryeqytetit, shënon rast për t´u përgëzuar, por që u parapri dhe u ndihmua edhe një nga informim intensiv disa ditor i opinionit. Protesta, atë që synoi e realizoi: grumbulloi njerëz të bashkuar nga indinjata!
Për të rregulluar situatën, mendoj që opionioni nuk ka nevojë të informohet për padrejtësinë, për reagimin publik të një grumbulli qytetarësh, por dëshiron të shohë ndëshkimin dhe vënien e drejtësisë në vend. Qytetari dëshiron të shohë se kush dëmton, kush dhunon, kush bën krim, duhet të marrë atë që edhe ndëshkimi ligjor parashikon”.
Cili është raporti midis fëmijës dhe shkollës?
“Shoqëria e siguron vazhdimësinë e vetë nga një brez në tjetrin përmes procesit të shoqërizimit, i cili lejon formimin e personalitetit të individit si dhe të mësuarit e modeleve të sjelljes të shoqërisë, pjesë e së cilës është. Shoqërizimi zgjat gjatë gjithë jetës, edhe faza më e rëndësishme e këtij procesi realizohet në fëmijëri apo në fazën e rinisë së parë. Pra në fazat ku hidhen bazat e formimit të personalitetit të të rriturit.
Një pjesë e mirë e shoqërizimit shkollor, nuk bën gjë tjetër veçse paraprin rolet që do të zihen, programet e të përshtaturit me botën e ekonomisë, të industrisë, të forcave të armatosura etj.
Shkolla nuk përfaqëson vetëm një institucion që zhvillon detyrën e të mësuarit, të aftësive dhe të dijeve, por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi, e cila edukon vlera të caktuara dhe rregulla të bashkëjetesës civile.
E dimë sa e rëndësishme është familja në formimin e personalitetit, por pjesa më e madhe e ideve, e opinioneve dhe e bindjeve të një të riu, zhvillohen në shkollë, pikërisht përmes njohjeve të këndvështrimeve të ndryshme, që lidhen mes tyre”. /TIRANA TODAY