A e dëmton zemrën Covid-19? Ja çfarë thotë studimi më i fundit

A ndihmon Covid-19 në shfaqjen e problemeve në zemër, apo njerëzit me probleme ekzistuese të zemrës janë më të prirur që të preken nga kjo sëmundje? Përgjigja mbetet e paqartë. Por një studim i ri britanik, ka zbuluar se njerëzit me probleme të zemrës, duket se janë më të rrezikuar të preken nga Covid-19.

“Në këtë studim, ne kemi zbuluar se struktura dhe një funksionim më i dobët i zemrës, është i lidhur me një rrezik më të lartë nga Covid-19. Ky zbulim është i rëndësishëm, pasi disa studime kanë sugjeruar se Covid-19 mund të shkaktojë dëmtime strukturore në zemër.

Por këto studimet përdorin skanerat e zemrës së të sëmurëve pas infektimit, ndaj ata nuk mund të jenë të sigurt nëse strukturat e dobëta të zemrës kanë ekzistuar para prekjes nga Covid-19”-shpjegoi studiuesja kryesore e studimit Zahra Raizi-Estabrag, bashkëpunëtore për kërkimet klinike në Universitetin Mbretëresha Marinë Londër.

Në hulumtimin e tyre, ekspertët analizuan të dhënat mjekësore të 310 personave bazuar në të dhënat e Biobank. Ky i fundit përfshin informacione shëndetësore dhe gjenetike mbi gjysmë milioni njerëz, duke përfshirë skanerët e hollësishëm të zemrave të tyre, si dhe rezultatet e testeve për Covid-19 nga Shëndeti Publik Anglez.

U vu re se njerëzit me struktura ekzistuese jo të shëndetshme të zemrës, dhe funksionim më të dobët të zemrës, kishin më shumë të ngjarë të dilnin pozitiv me Covid-19, sesa ata që nuk kishin probleme me zemrën. Kjo lidhje mbeti e vërtetë edhe pasi ata morën parasysh faktorë si mosha, gjinia, përkatësia etnike, niveli ekonomik, diabeti, presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe sulmet e mëparshme në zemër.

Por dy ekspertë në Shtetet e Bashkuara të cilët e lexuan studimin e ri, thonë se vetë koronavirusi shkakton probleme në zemër. “Studime të shumëfishta kanë treguar ndikimin e dëmshëm të Covid-19 tek zemra”-vuri në dukje dr.Eshita Duivedi, kardiologe në Spitalin Lenox Hill në Nju Jork.

Lexo edhe :   Merkel paralajmëron: Vala e tretë e Covid-19 do të jetë më e ashpër

Duivedi thotë se studimi ishte i vogël dhe në këtë pikë ngre një pikëpyetje kryesore mbi lidhjen e Covid-19 me zemrën. “Studime më të mëdha dhe afatgjata mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje dhe të zgjerojnë kuptimin tonë se si ndikon Covid-19tek zemra”- tha ajo.

Edhe dr.Majkëll Gojfman, që drejton departamentin e kardiologjisë klinike në Spitalin Jewish Forest Hills po në Nju Jork, thotë se infeksionet virale në përgjithësi mund të shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të zemrës, ndërsa prevalenca e lartë e Covid-19 mund të shpjegojë mbizotërimin e ndërlikimeve të lidhura me zemrën.

Burimi i lajmit: https://www.usnews.com/news/health-news/articles/2021-03-12/does-covid-harm-the-heart-new-study-says-maybe-not

Përshtatur nga TIRANA TODAY