Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi zhvilluan një bashkëbisedim me Komitetin Teknik të Ekspertëve, ku u bë me dije se mësimi online në universitete do të vijojë online, për shkak se nga data 6 janar ka pasur rritje të rasteve me Covid-19.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli, u shpreh se ka pasur rritje të infektimeve te moshat e reja.
Nisur nga ky fakt, Rakacoll tha se ky vendim u mor në mënyrë që të frenohet përhapja e Covid-19 jo vetëm te studentët, por edhe te të afërmit e tyre, apo në zonat nga vijnë.
Mira Rakacolli: “Krahas orës policore dhe ndërprerjen e fluturime me Britaninë, menduam që edhe mësimi në universitet të vijojë online. Qëndrimi në konvikte e shton rrezikun e infeksionit dhe mund të shndërrohen në vatra.
Tirana ka numrin më të lartë të rasteve dhe shumica e universiteteve janë të përqendruara në Tiranë, ardhja e studentëve dhe shkuarja në shtëpi bën që të shpërndahet infeksioni edhe në ato qytete që e kemi në kontroll situatën.
Pas diskutimeve të shumta, vendosëm që në të mirë ta vazhdojmë edhe pak këtë, pasi është në të mirë të shëndetit të vetë studentëve dhe të shëndetit publik. Nuk është vendim i marrë vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës”.