Bota

A do të nxisin protestat në Iran një kryengritje popullore


               Publikuar në : 17:20 - 15/01/20 M D

Protestat e iranianëve të irrituar prej rrëzimit aksidental nga ushtria të aeroplanit ukrainas, duket se sinjalizojnë një pakënaqësi më të thellë ndaj qeverisë.

Demonstratat nisën pasi zyrtarët iranianë pranuan se e kishin goditur avionin duke vrarë të 176 personat në bord, shumica e tyre iranianë.

Incidenti duket se ka larguar zemërimin e publikut nga SHBA-ja lidhur me vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani, duke e orientuar atë më shumë drejt udhëheqësve të vendit e politikës së tyre shtypëse ndërsa ekonomia vuan nën sanksionet amerikane.

Ndërsa protestat nxorën në rrugë qindra studentë që denoncojnë udhëheqësit islamikë të Iranit, analistët thonë se është shumë herët të thuhet nëse ky është fillimi i një kryengritjeje popullore.

“Mendoj se demonstratat, sado të mëdha të jenë, në të vërtetë nuk janë aq të mëdha e nuk ka të ngjarë të përhapen shumë më tepër”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.

Protestat të drejtuara kryesisht nga studentët filluan kur zyrtarë iranianë pranuan se kishin rrëzuar gabimisht aeroplanin ukrainas më 8 janar duke shkaktuar vdekjen e gjithë udhëtarëve në bord.

Këtë javë Irani njoftoi arrestimin e disa personave në lidhje me ngjarjen. Incidenti ndodhi gjatë së njëjtës natë që ushtria iraniane nisi një sulm me raketa kundër një baze ushtarake amerikane në Irak, si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani.

Një video që është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale tregon demonstrues tek shkulin foton e gjeneral Soleimanit e përpiqen t’i largohen sulmit me gaz lotsjellës të policisë.

Autoritetet kanë arrestuar një numër të madh protestuesish.

Protestat shpërthyen pas një funerali masiv për nder të Qassem Soleimanit ku shumë prej të pranishmëve thërrisnin për hakmarrje kundër Amerikës.

Protestat e fundit antiqeveritare pasojnë ato të muajit nëntor, pasi autoritetet njoftuan një rritje prej 50 për qind të çmimit të benzinës. Në disa prej tyre, forcat e sigurisë qëlluan ndaj demonstruesve të paarmatosur.

“Regjimi ka një histori të konsiderueshme të përgjigjes së fortë sa herë që kërcënohet. Duhet pritur të shihet nëse këto protesta në ndonjë lloj mënyre e kanë kapërcyer atë lloj kërcënimi”, thotë William Wechsler, i Këshillit Atlantik.

Sanksionet e vendosura nga Uashingtoni me qëllimin për ta detyruar Teheranin të ndalë programin e raketave balistike e t’i japë fund mbështetjes së milicisë në rajon e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane gjë që po nxit trazira. Por analistët thonë se sanksionet kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e ndjenjës antiamerikane.

“Iranianët mendojnë se kanë ngecur mes një Amerike me sjellje tejet agresive dhe represionit të fortë të Republikës Islamike, e që në thelb asnjë prej këtyre qeverive nuk interesohet vërtet për ta”, thotë Ali Vaez, i Grupi Ndërkombëtar të Krizave, shkruan “Voa”.

Teherani nga ana e tij mbetet sfidues, duke njoftuar se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes bërthamore që kufizon normat e pasurimit të uraniumit, një veprim që mund të shkaktojë të tjera sanksione ndërkombëtare.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT