“The Guardian”
Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Rusisë javën e kaluar nga administrata Bajden,janë një përpjekje për të pastruar rrëmujën e lënë pas nga presidenca e Donald Trump. Për çështje pas çështje, si ndërhyrja ruse në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020, dhe në lidhje me sulmet kibernetike ndaj agjencive qeveritare dhe bizneseve amerikane, ish-presidenti nuk arriti që
të ndërmarrë veprime të menjëhershme hakmarrëse, ose nuk ndërmori asnjë veprim.
Madje, Trump hodhi dyshime mbi përgjegjësinë e Rusisë mbi këto dhe akte të tjera armiqësore, duke kundërshtuar gjetjet e agjencive amerikane të inteligjencës. Ai refuzoi të kritikonte presidentin rus Vladimir Putin për mbështetjen e tij ndaj regjimit vrastar të Sirisë, helmimet në Salisbëri në vitin 2018, dhe përndjekjen e aktivistit të opozitës Aleksei Navalni.
Se përse Trump u soll në një mënyrë aq servile ndaj Putinit, një kundërshtar dashakeq dhe hakmarrës ndaj SHBA-së, ky mbetet një nga misteret e mëdha të pazgjidhura të presidencës së tij. A kishte Putini ndonjë dosje kompromentuese ndaj Trump? Përgjigjet mbi këtë enigmë shpresojmë që të vijnë me kalimin e kohës.
E sigurt është që Xho Bajden, pasardhësi i Trump, nuk ndjen kufizime të tilla. Si zv/president i Barak Obamës, Bajden udhëhoqi një përpjekje të kotë për të “rivendosur” marrëdhëniet me Moskën. Madje gjatë atij procesi, ai kuptoi atë që tha se ishte një pasqyrë e qartë e “shpirtit”të Putinit.
Ju jeni i pashpirt, ia tha në sy Bajden Putinit gjatë një takimi mes tyre në Kremlin në vitin 2011. Thuhet se Putin e mori si kompliment atë cilësim. Presidenti rus është dukshëm më pak i lumtur për sanksionet e fundit, të cilat përfshijnë dëbime diplomatësh, dhe masa që synojnë kompanitë e përfshira në spiunazhin kibernetik, apo edhe ndalimin e bankave amerikane që të blejnë pjesë të reja të borxhit publik rus.
Moska u hakmor shpejt me dëbimet e saj. Ajo e akuzoi Britaninë, që duartrokiti publikisht lëvizjet e SHBA-së, për një vallëzim të çmendur nën ritmin e Uashingtonit. Duke shpjeguar veprimin e tij, Bajden citoi një listë të gjatë të ankesave të Amerikës ndaj Rusisë, shumica e të cilave e kishin origjinën që në epokën e Trump apo më parë.
Por siç e tregon edhe reagimi i Rusisë, do të ishte gabim të mendohet se këto probleme i përkasin së kaluarës. AktualishtPutin po e teston Bajden duke vendosur në shkallë të gjerë trupa ushtarake në kufijtë e Ukrainës,ashtu siç bëri me Obamën në vitin 2014 kur aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë.
Gjykuar nga një perspektivë perëndimore, sjellja e Putinit po bëhet gjithnjë e më agresive. Pavarësisht nëse ai e pushton Ukrainën, apo nxit më shumë dhunë separatiste në rajonin e Donbasit, Putin ia ka dalë deri diku ta destabilizojë qeverinë e Kievit të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe të nxjerrë në pah ndarjet SHBA-Evropë brenda NATO-s.
Masat shtypëse kundër opozitës së drejtuar nga Navalni, që po torturohet aktualisht në burg, reflektojnë përbuzjen e Putinit për qeverisjen transparente dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut. Po kështu vepron edhe aleanca e tij në zhvillim me udhëheqësin autokratik të Kinës Xi Jinping, që ndan me të armiqësinë ndaj Perëndimit.
Rreziku i një konfrontimit të rrezikshëm midis SHBA-së dhe aleatëve të saj nga njëra anë, dhe regjimeve autoritare kineze dhe ruse nga ana tjetër padyshim që po rritet. Bajden po përballet me shumë pika të nxehta, sidomos në Tajvan dhe Detin e Zi.
Një takim i Bajden me kryeministrin e Japonisë të premten në Shtëpinë e Bardhë nënvizoi përpjekjet e presidentit amerikan për të forcuar mbrojtjen perëndimore. Por Bajden nuk është Ronald Regan, që ishte i vendosur në mposhtjen e perandorive të liga.
Edhe kur e ndëshkoi Rusinë, ai e ftoi Putinin në një samit në një vend neutral, për të sheshuar mosmarrëveshjet mes tyre. “Shtetet e Bashkuara nuk po synojnë të nisin një cikël veprimesh përshkallëzuese dhe konfliktuale ndaj Rusisë. Ne duam një marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme”-tha ai.
Në të njëjtën kohë, Xhons Kerri i dërguari i Bajdenit për klimën, udhëtoi në Shangai të Kinës, duke kërkuar një bashkëpunim të zgjeruar me Pekinin, përpara samitit global për klimën këtë javë nën kujdesin e presidentit amerikan.
Mosmarrëveshjet mbi Hong Kong dhe Xinjiangun, u lanë përkohësisht mënjanë. Qëndrimi pragmatik i Bajdenit, edhe pse i pakëndshëm në disa aspekte, ka të paktën në teori mundësinë të shmangë përplasjet mes superfuqive. Por në fakt, Putin dhe Xi nuk do të ndryshojnë sjelljen e tyre. Sfida është të gjenden mjete konstruktive për të punuar me ta,ndërkohë që mbrohen vlerat demokratike dhe siguria e Perëndimit.
burimi: https://www.theguardian.com/commentisfree/2021/apr/18/observer-viewon-joe-biden-sanctions-russia-vladimir-putin
Përshtatur për Tirana Today