Presidenti Ilir Meta, i pyetur nga gazetarët nëse do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, është përgjigjur publikisht se “nuk është koha që të zhvillohen mbledhje mbi mbledhje”.
Në një kohë kur ka dy persona të infektuar në Shqipëri me koronavirus, Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos përfshihen nga paniku.
“Nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje. Që në 31 janar kam kërkuar publikisht marrjen e masave, pa nisur rastet në Itali dhe më pas kam kërkuar përgatitjen e institucioneve.
Dhe dje kam bërë një kërkesë edhe më të fortë për përshkallëzimin e masave pas vështirësimit të gjendjes në Itali. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore të qeverisë për të bërë çdo gjë dhe jo vetëm për të hetuar këto dy raste. Pasi mund të ketë një rrezik të madh. Kjo pasi i gjithë rrjeti i kontaktuar mund të sjellë që të jenë mbartës dhe shpërndarës dhe mund të nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm.
Në Presidencë kemi një taksë-forcë që drejtohet nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare. Sot kam folur me ambasadoret tona në Romë dhe Athinë, dy vende të prekura dhe me potencial mjaft të rrezikshëm për të depërtuar në vendin tonë. Por besoj se do të bëjmë më të mirën që të tregojmë kujdes maksimal. Ka dy gjëra që nuk kërkojnë fonde, qytetaria dhe patriotizmi.
Të gjithë ata intelektualë, profesorë, studentë të fakultetit të Mjekësisë mund të japin kontribut në këto momente, të cilët mund të vendosen në mënyrë të organizuar në ndihmë të ekipit që po merret me këtë çështje”, deklaroi Meta.