E shtunë, 12 Qershor, 2021
27.5 C
Tirana

A do shkaktojë pandeminë e radhës gripi i ri i shpendëve?

Nga: Marc Siegel “The Hill”

A do të çojë në pandeminë e ardhshme gripi i shpendëve H10N3 në Kinë, që deri tani ka infektuar dhe shtruar në spital vetëm 1 person? Zakonisht përgjigjja është me siguri një “jo”. Por a do ta ketë origjinën një virus tjetër pandemik në Kinë, apo diku tjetër, ku njerëzit dhe kafshët kanë kontakte të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të favorshme për përhapjen e infeksioneve virale?

Përgjigjja është thuajse e sigurt që “po”. A mund të luajë rol në këtë aspekt një manipulim laboratorik apo edhe një dalje e virusit prej andej? Përgjigjja është serish “po”. Kultura e frikës, mashtrimit dhe fshehjes së orkestruar të origjinës së Covid-19 nga qeveria kineze mund të vazhdojë që të ndërhyjë në njohjen e shkencës së vërtetë, para se të jetë tepër vonë.

Me rastet e reja me Covid-19 që po shfaqen ngado, dhe shifrat në rritje të atyre që janë vaksinuar plotësisht apo që kanë fituar imunitet natyror nga Covid-19, ne jemi ende larg fundit të pandemisë aktuale, por jemi më në fund në rrugën drejt daljes prej saj.

Natyrisht, mendimet tona kthehen sërish tek pyetja se si mund të jetë shkaktuar kjo pandemi. A po modifikohej SARS-CoV-2 në një laborator, dhe befas doli aksidentalisht jashtë? Nëse jo, ku ishte krijesa ndërmjetëse që mund të ketë nxitur kalimin e virusit tek njerëzit, çështje e diskutuar nga shumë shkencëtarë, por të cilën deri më tani nuk kanë arritur që ta identifikojnë?

Pse ishin Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) dhe të tjerët aq budallenj apo naivë sa të mbështesnin kërkimet mbi patogjenët në zhvillim në Kinë, me qëllimin e deklaruar të parandalimit të një pandemie, një qasje e bazuar në përpjekjen për të parandaluar një pandemi të Sindromës së Rëndë të Frymëmarrjes Akute, ose SARS në epideminë e vitit 2003, që mund të ketë dhënë qartazi një efekt të kundërt?

Prandaj është shumë e natyrshme që tani të shqetësohemi për pandeminë e radhës. A jemi të përgatitur siç duhet? A do të fshihet informacioni për manipulimin që Kina apo një vend tjetër i ka bërë situatës, deri sa të jetë tepër vonë? Cili do të jetë patogjeni që do të shkaktojë pandeminë?

A mund të ndalohet ne nivel global hulumtimi për “fitimin e funksionit”, kur një virus i rrezikshëm manipulohet për të provuar potencialin e tij për të vrarë, apo për të kaluar lehtësisht nga një njeri tek tjetri, apo mund të ketë masa mbrojtëse efektive?

Gatishmëria kundër pandemive, ka qenë përqendruar gjithmonë në një farë mase tek gripi, jo vetëm për shkak të Gripit Spanjoll të vitit 1918 që vrau të paktën 50 milionë njerëz në të gjithë botën, por edhe sepse gripi është një virus ARN me shumë mutagjene që e kanë origjinën nga zogjtë, dhe që prekin derrat para se të kalojnë tek njerëzit.

Lexo edhe :   Gripi i shpendëve/ Eksperti tregon cilat janë kategoritë e rrezikuara

Është më pak e zakonshme që një virus gripal nga një zog apo krijesë e ngjashme me të t’i përshtatet direkt një bartës, siç ndodhi me sa duket edhe në vitin 1918. Tani, në listën e përgatitjes pandemike janë shtuar edhe koronavirusët, edhe pse ne nuk kemi ende njohuri specifike se si nisi pandemia aktuale.

Kur isha duke studiuar për librin tim mbi gripin e shpendëve në vitin 2006, dr.Dejvid Suejn, studiuesi i njohur amerikan i gripit të shpendëve, më tha se ne po harxhonim shumë kohë duke u shqetësuar për H5N1, që po vriste miliona zogj (shpendë), por që nuk do të përbënte kurrë një kërcim efektiv për njerëzit.

Lexo edhe :   Gripi i shpendëve/ Eksperti tregon cilat janë kategoritë e rrezikuara

Është diçka tjetër që një njeri që sëmuret herë pas here nga kontakti i ngushtë me një shpend të sëmurë, por është diçka krejtësisht tjetër që një virus të pësojë mjaftueshëm mutacione, sa të kalojë lehtësisht nga një njëri tek tjetri.

Suejn tha se viruset e gripit H1, H2 dhe H3 janë shumë më të favorshme për përhapjen tek njerëzit, dhe këtë e ka treguar vetë historia. Por studimi mbi “fitimin e funksionit” mbi virusin H5N1 në vitin 2012 çoi në lindjen e një virusi të ri që u përhap nga një qelbës tek tjetri (i ngjashëm me përhapjen njerëzore) dhe që e tronditi botën shkencore, duke e nxitur presidentin Barak Obama të ndalonte përkohësisht këto lloj hulumtimesh.

Nëse nuk i kushtohet rëndësi, virusi i gripit H10N3 nuk ka shumë të ngjarë që t’u shkaktojë ndonjë problem njerëzve. H10 nuk është i përshtatshëm për të. Problemi është “nëse lihet pas dore”. Por disa patogjenë do ta shkaktojnë pandeminë tjetër, dhe ne mbetemi serish të keq-përgatitur për të.

Ndaj është i nevojshëm ndalimi i menjëhershëm ndërkombëtar i kërkimeve të rrezikshme mbi patogjenët që mund të shkaktojnë pandemi. Me mARN, vektorin viral dhe teknologjinë ndihmëse të proteinave, ne mund të përgatitemi më shpejt për të luftuar viruset që shfaqen.

Por ne nuk kemi ndonjë “dobi” të madhe me manipulimin e viruseve, me qëllim për të vlerësuar potencialin e tyre. Vetë natyra ka ngritur pengesa kundër kalimit të infeksioneve virale nga një specie në tjetrën. Në vend se të manipulojmë koronavirusët e lakuriqëve të natës, për të vlerësuar potencialin e tyre për të prekur njerëzit, ne do të bënim shumë më mirë po të studionim se pse lakuriqët e natës i bartin këto viruse pa u sëmurur vetë. Kjo mund të çojë në trajtime të mëtejshme.

Shënim: Marc Siegel, është profesor i mjekësisë në Universitetin e Nju Jorkut. Libri i tij i ri titullohet “Covid, politikat e frikës dhe fuqia e shkencës”.

Burimi i lajmit: thehill. Përshtati: Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Uells-Zvicër/ Pjesa e parë pa gola, portierët vendimtarë me pritjet e tyre

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pjesa e parë e ndjeshjes midis Zvicrës dhe Uellsit. Një 45 minutësh ku spektakël dhuruan portierët e skuadrave...

Vrasja e 20-vjeçares në Greqi, zbulohet makina me të cilën janë larguar autorët

Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e 20-vjeçare britanike Caroline, e ndodhur pak javë më parë në Greqi. Në emisionin e gazetarit grek...

Fati i kryetarit të PD-së, 3 kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën

Nga: Marsela Sinani Lulzim Basha 47 vjeç, Fatbardh Kadilli 55 vjeç, Edith Harxhi 48 vjeçe dhe Agron Shehaj 44 vjeç, aderojnë në të njëjtën parti,...

Salianji: Gruevski si Rama mori mandat të tretë, por ra brenda një viti

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka bërë një paralelizëm të situatës aktuale politike në Shqipëri, të asaj para disa viteve në...

Kosovë: Një viktimë dhe 17 raste të reja me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar më 12 qershor një rast të vdekjes nga koronavirusi. Viktima është nga Prizreni. Sipas njoftimit...