Kryesore

A do na shpëtojë Perëndimi nga marrëzia e politikanëve shqiptarë?

               Publikuar në : 17:50 - 13/05/19 S.N

Tre vitet e fundit, SHBA dhe BE i janë imponuar klasës së korruptuar politike shqiptare, për kryerjen e një reforme rrënjësore në sistemin gjyqësor, si A-ja e ndërtimit të shtetit ligjor. Por muajt e fundit, reforma ka kaluar në plan të dytë, pasi në lojë është vetë stabiliteti politik dhe social i Shqipërisë.

Me kalimin e javëve, PD dhe LSI po bëhen me radikale në sjelljet e tyre gjatë protestave, ndërsa edhe policinë kanë nisur ta lëshojnë nervat. Edi Rama tha dje se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, dhe as të shtyjë zgjedhjet lokale. Lulzim Basha u kundërpërgjigj, duke i kujtuar kaosin që po ndodh në Venezuelë, apo fatin e ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruesvski, që ndodhet sot në arrati, i dënuar në mungesë për korrupsion.

Në këto kushte, ngjarjet e dhunshme të së shtunës, mund të përsëriten sërish sot, dhe në ditët në vijim. Deri më sot Perëndimi, është pozicionuar qartazi kundër djegies së mandateve parlamentare nga opozita. SHBA, BE dhe OSBE, e dënuan edhe dje përdorimin e dhunës. Por nëse ata kufizohen vetëm në deklarata formale, përplasjet polici-protestues mund të prodhojnë viktimat e para.

Po çfarë ka në dorë Perëndimi?

Kancelaritë perëndimore dhe agjensitë e tyre të inteligjencës, kanë informacione të detajuara mbi politikanët shqiptarë. Ata u njohin sekretet më të errëta, mes tyre edhe pasuritë e fshehura në parajsat fiskale. Nëse ata kërcënohen me zbulimin dhe konfiskimin e këtyre të fundit, do të tulaten si pulat. Të njëjtin shantazh, amerikanët u bënë politikanëve grekë gjatë krizës së fundit ekonomike atje.

Ngjarjet tragjike të 1997-ës, na kujtojnë se çfarë ndodh kur ndërkombëtarët ndërhyjnë me vonesë. Ata mund të jenë me të drejtë të lodhur dhe neveritur nga politikanët shqiptarë, por qytetarët nuk e meritojnë të paguajnë sërish kusuret e këtyre të fundit./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT