Nga: Danielle Tumminio Hansen “The Conversation”
Feja e organizuar ka qenë në rënie për dekada me radhë në Shtetet e Bashkuara. Por gjatë pandemisë së Covid-19, studiuesit zbuluan se kërkimet në internet për fjalën “lutje” u rritën në nivelin më të lartë ndonjëherë në mbi 90 vende të botës. Dhe një studim i “Pew Research” në vitin 2020, tregoi se 24 për qind e të rriturve në SHBA,u shprehën se besimi i tyre ishte bërë më i fortë gjatë pandemisë.
Unë jam një teologe që studioj trauma, dhe ky ndryshim është për mua i logjikshëm.
Unë u mësoj shpesh studentëve të mi se ngjarjet traumatike janë në thelbin e tyre, kriza të kuptimit, që i bëjnë njerëzit të vënë në dyshim supozimet mbi jetën e tyre, përfshirë besimet e tyre shpirtërore. Dhe vitet 2020 dhe 2021 sigurisht që përfshihen në këtë kategori: Pandemia globale e Covid-19 ka çuar vërtet në përvoja traumatike shumë njerëz, për shkak të izolimit, sëmundjes, frikës dhe vdekjeve të shumta që shkaktoi.
Vënia në pikëpyetje e besimeve
Njerëzit që përjetojnë trauma, kanë prirjen të vënë në dyshim disa nga supozimet, të cilat mund të kenë pasur lidhje me besimin e tyre. Pra ato që teologia Kerri Doering i quan “besime të ngulitura”. Këto mund të përfshijnë idenë se kush është Zoti, qëllimi i jetës apo se përse ngjarjet e këqija u ndodhin edhe njerëzve të mirë.
Kështu për shembull, shumë të krishterë mund të trashëgojnë një besim të ngulitur nga tradita, se Zoti është gjithçka e mirë, dhe se e keqja shfaqet kur Zoti i ndëshkon “me të drejtë”njerëzit për mëkatet e tyre. Pra me fjalë të tjera, një Zot i gjithi i mirë nuk do të dënonte askënd pa ndonjë arsye.
Të krishterët e rritur me këtë supozim, mund të pyesin veten se çfarë bënë që shkaktuan zemërimin e Zotit,dhe kjo nëse prekeshin nga Covid-19. Në një ngjarje të tillë, besimi i ngulitur i një Zoti ndëshkues, mund të jetë një strategji negative e përballimit, që ka efekte negative në jetën e një personi.
Ja se si mund të jetë ajo praktikisht:Nëse një person beson se po ndëshkohet nga Zoti, ai mund të ndiejë turp ose dëshpërim. Nëse ndjen se Zoti po e ndëshkon pa ndonjë arsye, ai mund të përjetojë konfuzion, ose të përpiqet të identifikojë diçka që është problematike apo mëkatare në lidhje me identitetin e tij.
Për pasojë, besimi i tyre bëhet diçka që është një burim stresi apo disonance njohëse, sesa një burim ngushëllimi. Nëse ndodh kjo gjë, atëherë besimi po funksionon si një strategji negative e përballimit, të cilin personi në fjalë duhet qëta adresojë.
Trauma dhe fetarizmi
Ekspertët e shëndetit mendor si Xhudit Herman,e kanë theksuar për dekada se shërimi nga trauma përfshin edhe kuptimin e ngjarjes traumatike. Ngjarjet traumatike, janë shpesh konfuze për njerëzit, pasi nuk kanë shumë kuptim. Pra,traumat ndryshojnë nga pritshmëritë e jetës së përditshme, dhe për pasojë ato duket se e sfidojnë kuptimin ose qëllimin e jetës.
Në aspektin shpirtëror, individët mund të fillojë të kuptojnë se disa prej besimeve të tyre janë sfiduar nga trauma. Ky është pikërisht momenti kur testohen besimet shpirtërore, pasi njerëzit fillojnë që të bëjnë dallimin se cilat besime të ngulitura kanë ende kuptim, dhe cilat duhet të rishikohen.
Gjatë kësaj faze të rimëkëmbjes, teologia dhe ekspertja e traumës Shelli Rambo, shpjegon se individët e traumatizuar mund të angazhohen në lutje, reflektime personale, rituale dhe biseda me liderë shpirtërorë siç janë klerikët por jo vetëm. Është dëshmuar se këto mjete funksionojnë si mekanizma pozitivë të përballimit të traumës.
Me kalimin e kohës, këto burime i ndihmojnë individët që të zhvillojnë më shumë besime të qëllimshme, pra besime të zgjedhura me vetëdije dhe që marrin parasysh vuajtjet e tyre. Ato mund të përfshijnë arsyet pse ka ndodhur vuajtja,dhe çfarë rëndësie ka ajo për kuptimin e përgjithshëm të jetës së personit.
Doering u referohet këtyre si besime këshilluese, ose të zgjedhura me ndërgjegje. Individët kanë një ndjenjë të përkushtimit ndaj këtyre besimeve, pasi ato kanë kuptim në kontekstin e traumës së përjetuar. Pra, në rastin hipotetik të dikujt që beson se Zoti po i ndëshkon ata me prekjen nga COVID-19, kjo ndjenjë e turpit dhe dëshpërimit mund të burojë nga dështimi për të kuptuar se pse Zoti do që t’i trajtojë ata në këtë mënyrë.
Këto ndjenja negative do të funksiononin më pas si mekanizma të përballimit negativ që e parandalojnë shërimin, siç vëren psikologu Kenet Pargament dhe kolegët e tij për situata të ngjashme ku njerëzit mendonin se Zoti po i ndëshkonte ata.
Personi mund të përpiqet ta lehtësojë shqetësimin, duke e vënë në dyshim supozimin se Zoti i ndëshkon njerëzit me sëmundje, dhe duke nisur kësisoj një lloj kërkimi shpirtëror apo rivlerësimi të besimeve. Madje, ata mund të fillojnë të mendojnë ndryshe për Zotin,si një hyjni ndëshkuese.
Trauma dhe ateizmi
Disa njerëz mund të argumentojnë se vuajtja duhet t’i kthejë logjikisht njerëzit në ateistë. Tek e fundit, tmerri i diçkaje siç është edhe pandemia Covid-19 mund ta bëjë me lehtësi dikë të pyesë se si është e mundur që ndonjë hyjni të lejojë tmerre të tilla.
Por do të kishte shumë më shumë kuptim të arsyetohej se krijimi është i rastësishëm, kaotik, dhe përcaktohet vetëm nga një kombinim i forcave të natyrës dhe vendimeve njerëzore. Filozofi agnostik Bertrand Rasëll mbështeti një supozim të tillë kur argumentoi se të krishterët duhet ta shoqërojnë atë në spitalin e fëmijëve, ku ata në mënyrë të pashmangshme do të ndalonin së besuari tek Zoti, kur të shihnin vuajtjet e mëdha të fëmijëve.
Gjithsesi, mënyra se si njerëzit i përjetojnë vuajtjet shpirtërore, nuk do të çojë domosdoshmërisht në ateizëm apo agnosticizëm. Në fakt, studimet nga ekspertët që studiojnë të përbashkëtat mes psikologjisë dhe fesë – përfshirë psikologët e fesë dhe teologët – kanë zbuluar se ngjarjet që mund të etiketohen si traumatike, nuk e shkatërrojnë domosdoshmërisht besimin fetar.
Në të vërtetë, ato mund ta forcojnë atë, pasi besimet dhe praktikat e bazuara tek besimi, mund t’i ndihmojnë individët të fitojnë një kuptim në historinë e jetës së tyre. Pra trauma sfidon kaq shumë supozime se kush jemi, cili është qëllimi ynë në jetë, dhe si t’i japim kuptim një ngjarje traumatike.
Besimet dhe praktikat e bazuara tek besimi, na ofrojnë burime kuptimplota për të na ndihmuar t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve. Kjo është arsyeja pse besimet dhe praktikat shpirtërore të feve të ndryshme, mund të çojnë shpesh në forcimin dhe jo dobësimin e besimit pas një traume.
Pra, edhe pse njerëzit mund të kenë pasur qasje të kufizuar në institucionet fetare si kisha ose sinagoga gjatë pandemisë, ato kishin sërish qasje në burimet shpirtërore që mund t’i ndihmojnë ata të përballeshin me ngjarjet traumatike. Kjo mund të shpjegojë edhe të dhënat që tregojnë se pse disa individë thonë se besimi i tyre është më i fortë tani se sa ishte para pandemisë së Covid-19.
Burimi i lajmit: https://theconversation.com/do-people-become-more-religious-in-times-of-crisis-158849
Përshtatur nga TIRANA TODAY