Gjermania zë një peshë të rëndësishme në valën e madhe të emigrimit të shqiptarëve, qoftë për largimet për një vend punë, kushte më të mira jetese apo edhe studime.
Sipas shifrave zyrtare të Ambasadës Gjermane, qytetarët e larguar me viza pune është dyfishuar vitin e kaluar, në mbi 6500 individë. Ndërsa rreth 1745 të tjerë e ndoqën ëndrrën gjermane përmes kërkesave për azil.
Megjithatë, përballja me jetesën gjermane nuk përkon gjithmonë me pritshmëritë. Sipas juristit Rafael Todhe, i cili prej shumë vitesh ndihmon në Gjermani qytetarët shqiptarë me informacionet e duhura, të shumtë befasohen nga kostot shumë më të shtrenjta se planifikimi.
“Për sa i përket kostove të jetesës nuk janë të ulëta, janë shumë të larta sidomos në fillim, fillimet janë të vështira. Normalisht nëse një pagë minimale ose mesatare mund të jetë tek 2000 ose 2200 euro bruto neto shkon tek 1400-1600 euro.
Edhe nëse duket një shumë e madhe nuk është shumë sepse nëse do merrni një banesë edhe ato më të voglat fillojnë nga 500-800 euro në muaj, në zonën e Bayern shkojnë deri në 1000 euro. Në fund nuk ngelet pothuajse asgjë”, thotë Todhe për A2 CNN.
Nëse e krahasojmë me rajonin, Shqipëria qëndron e parafundit për emigrantët me viza të rregullta, teksa këtë renditje e kryeson Serbia. Kjo sepse një pjesë e shqiptarëve i drejtohen tregut të zi, për të evituar taksat, që janë tepër të larta për ta.
“Ndoshta s’kanë qenë të informuar që taksat janë kaq të larta kanë shpresuar që do të ngelen pak më shumë. Por nëse kryhen veprimet siç duhen këto taksa në fund të vitit mund të merren mbrapsht. Marrja e informacionit në grupet shqiptare ka qenë pothuajse e pamundur. Shumë rrallë është dhënë informacion për këto tema. Pjesa më e madhe nuk e dinë se me deklarimin e të ardhurave marrin taksat e tyre mbrapsht”, thotë Todhe.
Por prej 1 qershorit të këtij viti, shqiptarët e kualifikuar mund të udhëtojnë drejt Gjermanisë edhe pa një kontratë pune.