Pas konferencës së ish-kryeministrit Berisha, ku akuzoi SHBA se po e sulmojnë politikisht, ka ardhur edhe reagimi i Uashingtonit. Berisha foli haptazi se në shtator do të futet në Parlament si demokrat, e ndërsa paralajmëroi se nuk ka asnjë forcë që e ndal. Madje ai tha më tej se kreu i Partisë Demokratike, nuk mund të bllokojë hyrjen e tij në Parlament.
Ambasadorja Yuri Kim u shpreh përpara disa ditësh kundër hyrjes së ish-kryeministrit Berisha në Kuvend, duke thënë se “do të ishte tragjike nëse PD do të hante bar për hir të Berishës”.
Duke komentuar deklaratat e ambasadores Kim, Berisha tha se ajo e përdori jo rastësisht “dogmën e barit”. Për Berishën, Kim nuk mund të vendosë se kush duhet të qëndrojë dhe kush jo në Parlamentin shqiptar, ndërsa u shpreh se diktatura dhe bari janë një binom i pandarë.
Zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane, në një reagim për RTSH shkruan se: “Midis urdhërit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit, medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbesor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”. /Tirana Today