Pas rreth 8 muajsh, janë bërë publike foto nga ekzekutimi i biznesmenit Niko Goro në Himarë, ngjarje e cila është rregjistruar në 17 tetor të vitit 2020.
Në fotot e publikuara, shihet se autori i krimit, Kliti Leka qëllon me armë mbi kushëririn e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
Leka, ka qëlluar 6 herë me pistoletë në drejtim të Goros, duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin e ngjarjes, Niko Goro ishte duke hyrë nga ambjentet e një supermarketi që menaxhohet nga motra e tij, Eftinia.
Kjo e fundit, është munduar që të mbrojë të vëllanë, por autori e ka qëlluar dhe atë në këmbë duke e lënë të plagosur. Më pas, autori i krimit është larguar me shpejtësi, duke shkuar në makinën e tij, të marë me qira në Tiranë.
Në ikje e sipër, Leka është lokalizuar nga policia e Himarës në plazhin e Livadhit, ku kishte braktisur makinën dhe ishte larguar me vrap në drejtim të godinave të një ish-reparti Ushtarak, që vendasit e quajnë “ish-prozhektori”.
Në këtë moment, Kliti Leka, ka hedhur armën dhe ka dalë në një terren të hapur, ku efektivët e policisë kanë shkuar dhe e kanë arrestuar. Gjatë kontrollit, Kliti Lekës, ju sekuestrua një automatik kallashnikov me dy karikatorë, një pistoletë “Heckler Koxh” me fishekë në fole, dhe 60 fishekë automatiku.
Shkak i kësaj vrasje besohet të jëtë bërë një konflikt për pronat me ndarjen e apartamenteve në një sipërfaqe toke, ku biznesmeni Niko Goro, kishte ndërtuar një kompleks pallatesh në Himarë.