Nga: Naomi S. Baron “The Conversation”
Gjatë pandemisë, shumë mësues dhe profesorë i braktisën detyrat nga librat shkollorë të shtypur, duke iu rikthyer teksteve dixhitale apo kurseve multimediale. Si profesore e gjuhësisë, unë kam studiuar se si komunikimi elektronik krahasohet me shtypin tradicional kur bëhet fjalë për të mësuarin.
A merr të njëjtat dije një person që lexon një tekst në ekran apo në letër? Dhe a janë dëgjimi dhe shikimi i përmbajtjes po aq efektive, sa leximi i fjalës së shkruar kur bëhet fjalë për të njëjtin material?Përgjigjet për të dyja pyetjet janë më së shumti“jo”, siç e theksoj edhe në librin tim “Si lexojmë tani”, botuar në muajin mars.
Arsyet lidhen me një sërë faktorësh, përfshirë përqendrimin e zvogëluar, mendimin për t’u argëtuar më shumë sesa lexuar, dhe një prirje për të bërë shumë detyra gjatë kohës që konsumohet një përmbajtje dixhitale. Kur lexoni tekste me disa qindra fjalë ose më shumë, të mësuarit është zakonisht më i suksesshëm kur është në letër sesa në ekran.
Këtë gjë e konfirmojnë një mori studimesh. Përfitimet nga tekstet e shtypura në letër, janë më se të dukshme veçanërisht kur eksperimentuesit kalojnë nga parashtrimi i detyrave të thjeshta ndaj pjesëmarrësve në studim – si identifikimi i idesë kryesore në një fragment leximi – tek ato që kërkojnë abstraksion mendor – sikurse është nxjerrja e përfundimeve nga një tekst.
Ndërkohë, leximi i tekstit të shtypur në letër përmirëson edhe shanset për të kujtuar detaje, si për shembull “Cila ishte ngjyra e flokëve të aktorit?”, apo se mbajtjen mend se kur ndodhën ngjarjet në një histori, për shembull “A ndodhi aksidenti para apo pas grushtit të shtetit?”
Studimet tregojnë se si nxënësit e shkollës së mesme ashtu edhe studentët në universitet supozojnë se do të marrin rezultate më të larta në një test të të kuptuarit, nëse kanë lexuar tekste dixhitale. E megjithatë, ata kanë në fakt rezultate më të larta kur e kanë lexuar materialin të shtypur në letër.
Mësuesit dhe pedagogët duhet të jenë të vetëdijshëm se metoda e përdorur për testimin e standardizuar, mund të ndikojë në rezultatet e nxënësve dhe studentëve. Studimet mbi klasat X në Norvegji dhe klasat III deri në VIII në SHBA, raportojnë rezultate më të larta kur testet e standardizuara janë në formatin klasik.
Në studimin amerikan, efektet negative të testimit dixhital ishin më të fortat midis studentëve me rezultate të ulëta në lexim, nxënësve të gjuhës angleze, dhe studentëve të arsimit special.
Studimi im dhe i kolegëve iu qas ndryshe kësaj çështjeje.
Në vend që t’i vinim studentët të lexonin dhe më pas të hartonim vetë një test, ne i pyetëm ata se si e perceptonin mësimin e tyre të përgjithshëm kur përdornin materiale të shtypura apo dixhitale. Si studentët e shkollës së mesme ashtu edhe ata në universitet, kujtuan në përgjithësi më shumë gjëra pas leximit në letër, duke e vlerësuar atë si më të mirë për përqendrimin, të mësuarit dhe të kujtuarit sesa leximin dixhital.
Mospërputhjet në këtë rast janë pjesërisht të lidhura edhe me vetitë fizike të letrës. Ne tekstet e shtypura në letër ekziston një vendosje e drejtpërdrejtë e duarve, së bashku me gjeografinë vizuale të faqeve të dallueshme. Shpesh njerëzit e lidhin të kujtuarit mbi atë që kanë lexuar me volumin e saj që kanë lexuar deri në atë moment apo numrin e saktë të faqeve.
Por po aq e rëndësishme është perspektiva mendore,ajo që studiuesit e leximit e quajnë një “hipotezë e cekët”. Sipas kësaj teorie, njerëzit u qasen teksteve dixhitale me një mendësi që është e përshtatshme për mediat sociale rastësore, dhe kësisoj u kushtojnë më pak përpjekje mendore sesa kur lexojnë gjëra të shtypura në letër.
Duke pasur parasysh përdorimin e shtuar të kurseve dixhitale – kur studentët dëgjojnë ose shohin përmbajtje leksionesh para se të vijnë në klasë – së bashku me podkaste (tekste audio) më të disponueshme për publikun dhe përmbajtje video në internet, shumë detyra shkollore që më parë kërkonin leximin janë zëvendësuar me dëgjimin po shikimin.
Ky proces është përshpejtuar gjatë pandemisë, nëpërmjet të mësuarit virtual. Duke anketuar studentët në SHBA dhe Norvegji në vitin 2019, profesorja e Universitetit Stavanger Ana Mangen dhe unë zbuluam se 32 për qind e universiteteve amerikane, po i zëvendësonin tekstet klasike me materiale video, ndërsa 15 për qind raportuan se po përdornin materialet audio.
Kjo shifër ishte disi më e ulët në Norvegji. Por në të dyja vendet, 40 për qind e të anketuarve që kishin përjetuar ndryshime në të mësuar gjatë 5-10 vitet e fundit, raportuan se sot lexonin më pak tekste të shtypura në letër.
Një nga arsyet kryesore për kalimin tek versionet audio dhe video, janë vetë studentët që refuzojnë të lexojnë tekstet klasike. Ndërsa ky problemi nuk është aspak i ri, një studim i vitit 2015 me më shumë se 18.000 studentë zbuloi se vetëm 21 për qind e tyre përfundonin zakonisht leximin e gjithë detyrave të dhëna.
Një studim i lidhur konfirmon se studentët e humbasin më shumë përqendrimin kur dëgjojnë tekste në audio sesa kur lexojnë. Edhe një studim në Qipro arriti në përfundimin se marrëdhënia midis aftësive të dëgjimit dhe leximit është më fitimprurëse në rastin e dytë, pasi fëmijët bëhen lexues më të rrjedhshëm.
Tekstet dixhitale, audio dhe video, të gjitha kanë role edukative, sidomos kur sigurojnë burime që nuk janë të disponueshme në tekstet e shtypura në letër. Gjithsesi, për maksimizimin e të mësuarit, kur kërkohet përqendrim mendor dhe reflektim, mësuesit dhe prindërit nuk duhet të supozojnë se të gjitha format e mësimit janë të njëjta, edhe kur ato përmbajnë fjalë identike.
Burimi i lajmit: https://theconversation.com/why-we-remember-more-by-reading-especially-print-than-from-audio-or-video-159522
Përshtatur nga TIRANA TODAY