Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit.
Meta i bën thirrje qytetarëve që të mos bien në grackën e askujt që kërkon t’i trajtojë si plaçkë, por se duhet të votojnë me vullnet të lirë.
Kreu i Shtetit paralajmëroi se kush falsifikon, tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg.
Sipas tij, fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast.
Ndër të tjera, Meta u shpreh se pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë.
Postimi i Presidentit Meta në rrjetin social, Facebook
NDËSHKONI ATA, QË DUAN TË BLEJNË VOTËN TUAJ DHE T’JU PËRZËNË FËMIJËT NGA SHQIPËRIA, ATDHEU YNË I BEKUAR!
E përshëndes mesazhin e fuqishëm dhe frymëzues të Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.
I bëj gjithashtu jehonë thirrjes së tyre për të mos rënë në grackën e kujtdo, që kërkon t’i trajtojë qytetarët shqiptarë si plaçkë, që shitet e blihet por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj!
Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg!
“Fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari.
Kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet.
Pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë.”