Në fushën e sportit çdo ditë ka surpriza, kjo për shkak të situatës me COVID-19. Futbollistët e infektuar janë të detyruar që të izolohen, dhe kjo menjëherë ndryshon rregullat e lojës. Trajneri i kombëtares Edi Reja, do të bëjë të tjera ndryshime në listën e futbollistëve të grumbulluar prej tij, për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve kundër Kazakistanit dhe Lituanisë. Ndryshimi i listës vjen për shkak të masave anti-Covid të vendeve të ndryshme dhe problemeve fizike.
FSHF ka njoftuar se Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë të gatshëm, pasi nuk lejohen nga klubet të dalin jashtë vendeve respektive.
Edhe portieri Thomas Strakosha ka shfaqur probleme fizike, dhe është në pikëpyetje për ndeshjet e tetorit. Për këtë arsye trajneri Reja ka vendosur të thërrasë portierët Alban Hoxha dhe Gentian Selmani.