Nga Klodian Tomorri
Po të krahasosh të dhënat për moshën e vdekshmërisë nga virusi, vëren një fenomen shumë shqetësues. Në Shqipëri, mosha mesatare e atyre që kanë humbur jetën është shumë më e re se në vendet e tjera.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, 60 për qind e viktimave nga virusi në Shqipëri janë nën 70 vjeç. Në Itali kjo shifër është vetëm 14 për qind, ndërsa në Francë 16 për qind.
Po kështu, 7 për qind e viktimave të Covid në Shqipëri janë nën 50 vjeç. Në Itali kjo shifër është vetëm 1.7 për qind, ndërsa në Francë 2 për qind.
Ndoshta një arsye që mund ta shpjegojë këtë është se Shqipëria fatmirësisht ka një numër shumë më të vogël vdekjesh se vendet e tjera. Numrat e vegjël nuk janë përfaqësues dhe shpesh nuk mjaftojnë për të dhënë trende. Por mund të ketë edhe arsye të tjera përtej kësaj. Ndaj është mirë, që dikush të fillojë ta studiojë si fenomen, mos ka ndonjë gjë që nuk shkon.
Përtej kësaj, prapë fatmirësisht, Shqipëria është ende në kohë për të mos paguar çmimin e lartë që kanë paguar vendet e tjera. Por tani zgjidhja nuk vjen më nga qeveria, por duhet të vijë nga vetë njerëzit.
Në finale ky është një model progresioni. Dhe në modelet statistikore, rezultati final varet nga variablat që ti përdor. Ndryshime të vogla në variabla japin diferenca të mëdha në rezultatin final.
Mjafton vetëm fare pak kujdes, për ti ndryshuar ato variabla. Nëse njerëzit nuk grumbullohen, indeksi i transmetueshmërisë ulet. Nëse njerëzit mbajnë maskë në ambiente të mbyllura r-ja ulet. Nëse qytetarët ruajnë distancat, variablat ndryshojnë, po ashtu dhe rezultati. E kështu me radhë.
Të dëgjojmë këshillat e mjekëve se përfitimet janë shumë të mëdha. Jo vetëm në termat e jetëve të humbura, por edhe në aspektin ekonomik. Sot Evropa po na izolon, por me pak më shumë kujdes, kjo mund të ndryshojë.