Rusia është një nga shtetet që po sheh një rritje shumë të shpejtë të të infektuarve nga koronavirusi.
Në 24 orët e fundit, Rusia ka konfirmuar 10,699 persona të infektuar, duke shënuar kështu ditën e gjashtë radhazi që verifikon mbi 10 mijë raste të reja në ditë.
Deri më tani Rusia numëron një total prej 187,859 rasteve të evidentuara me koronavirus. Ajo tashmë renditet e pesta në botë për numrin më të madh të rasteve me COVID-19, pas SHBA-ve (1,293,768), Spanjës (260,117), Italisë (215,858) dhe Mbretërisë së Bashkuar (206,715).
Por pavarësisht numrit të lartë të personave të infektuar, Rusia regjistron një numër të ulët viktimash në raport me numrin e rasteve.
Në 24 orët e fundit, në Rusi kanë humbur jetën 98 persona duke e çuar në 1,723 numrin total të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi. Mbi 26 mijë persona janë shëruar ndërsa rreth 160 mijë raste janë ende aktive në Rusi.
Më shumë se 3,9 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga COVID-19, ndërsa mbi 271 mijë persona kanë humbur jetën.