Zbardhen detajet në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt më herët ditën e sotme.
Bëhet me dije se çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Në mbledhjen që u organizua nga presidenti Meta ishin të pranishëm: kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës. Ndërsa Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Nga ana tjetër, Basha prezantoi sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta, për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit.