Futbolli është pezulluar përkohësisht në të gjitha ligat e mëdha dhe ende nuk është një datë e sigurtë se kur do të rinisë.
Tifozët ende nuk e dinë edhe sa duhet të presin që të shohin ekipet e tyre të zbresin në fushat e lojës. Megjithatë duket se pritja për ata gjermanë do të jetë më e shkurtër se në shtetet e tjera.
Bundesliga– Disa nga skuadrat e Bundesligës kanë zbritur në fushë dhe po zhvillojnë stërvitjet e tyre, ndërkohë që federata në këtë shtet parashikon që kampionati të rifillojë në datën 9 maj, teksa duken optimistë që të nisë edhe në 2 maj.
Serie A– Ndryshe nga Gjermania, në Itali situata është ndryshe dhe ende nuk ka një mendim të përafërt se kur do të fillojë kampionati. Disa nga parashikimet që shihen edhe si optimiste janë që kampionati të rifillojë në 24 maj, por nuk përjashtohet edhe një start në 7 qershor.
Premier League– Në Angli masat për situatën në të cilën ndodhemi për shkak të Koronavirusit u morën me vonesë dhe kjo sjell që edhe futbolli të nisë disi më vonë, duke parë që edhe situata në këtë vend është alarmante. Parashikohet që stërvitjet të nisin nga mesi i muajit maj, që do të bënte të mundur që kampionati të fillojë diku nga fillimi i qershorit, normalisht nëse situata përmirësohet.
La Liga– Alarmante është situata edhe në Spanjë, ku numri i viktimave është shumë i lartë dhe gjithmonë në rritje. Sipas presidentit të Ligës, Javier Tebas datat optimiste janë 28 maj dhe 6 qershor, por pritja mund të zgjatet më shumë, duke llogaritur 28 qershorin si datë të mundshme për të rinisur topin e parë.
Ligue 1– Në Francë ka konfuzion në lidhje me datat e mundshme për rifillimin e kampionatit. Pritet të jetë një betejë e ashpër, për të drejtat televizive, pasi “Canal Plus” pezulloi pagesat për këtë kampionat gjatë periudhës së ndalimit.
Kompeticione Europiane– Champions League dhe Europa League mund të luhen dhe korrik dhe gusht, i cili duket edhe si opsioni më i mundshëm. Megjithatë së pari do të jetë e nevojshme të vendoset për kampionatet.