Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga foltorja e kuvendit theksoi se nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri.
Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për parandalimin e koronavirusit.
“Shqipëria ka marrë masa për kontrollin dhe mbrojtjen ndaj koronavirusit. Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi i ri deri në momentet që flasim.
Janë 31 të testuar, që kanë rezultuar negativ sa i takon prekjes nga koronavirusi i ri. Ne kemi përforcuar aksionet tona për të ndaluar situatën. Kemi forcuar të gjitha kapacitetet laboratorike për identifikimin e koronavirusit të ri. Janë përcaktuar gjithashtu udhëzuesit si të veprojmë ndaj këtij virusi.
Masat që kemi ndërmarrë janë shumë të rëndësishme, pasi shtimi i masave të higjienës personale ndalojnë koronavirusin e ri. Kemi dyfishuar punonjësit në pikat kufitare.
Janë marrë masat për të rritur sigurinë në shëndetësinë tonë. Kemi marrë masa edhe me medikamente. Dua t’ju them qytetarëve që të mos jenë në panik”, deklaroi Manastirliu.