Institucionet e Republikës së Kosovës dhe krerët politikë në vend e kanë bojkotuar nismën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të bashkërenduar me Presidentin e Serbisë Vuçiç, për krijimin e një “Minishengeni Ballkanik”.
Besnik VELIU
Përveç takimeve në Novi Sad e Ohër, Republika e Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë edhe në samitin e 20 dhe 21 dhjetorit që do të mbahet në Durrës nën patronatin e Edi Ramës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar publikisht sot Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se nuk do të marrë pjesë për shkak të Serbisë.
Një iniciativë të tillë e kanë kundërshtuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto të cilat janë duke synuar arritjen e një koalicioni për të udhëhequr shtetin në katër vitet e ardhshme.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e kishte quajtur si një përpjekje për krijimin e një “Jugosllavie të vogël”, ndërkohë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i shtetit, kishte thënë se Edi Rama është ngutur kur për një iniciativë të tillë ka konsultuar Serbinë përpara Kosovës.
Përveç kësaj nga Lëvizja Vetëvendosje thonë që do të ishte mirë që Shqipëria të pezullojë iniciativa të tilla duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet Republika e Kosovës.
“Ne mendojmë se në këtë periudhë, kur Kosova është në gjendje të tranzicionit qeverisës, do të ishte mirë të pezulloheshin iniciativat e tilla, sidomos nga Shqipëria, e cila do të duhej të ishte shteti që koordinohet më së shumti me Kosovën. Nuk ka pse të ketë asnjë nguti për takime e samite të tilla, e megjithatë dikujt po i ngutet”, ka thënë për “Express”, Arbër Zaimi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndër të tjera Zaimi thotë se iniciativat rajonale nuk mund të refuzohen apriori, duke paralajmëruar kështu se qeveria e re nën drejtimin e Albin Kurtit do të vendos masën e reciprocitetit për Serbinë.
“Iniciativat rajonale dhe marrëveshjet ndërshtetërore shumëpalëshe nuk duhen refuzuar apriori, por siç kemi thënë, duhet të parashihet në to aplikimi i reciprocitetit mes Kosovës e Serbisë. Qeveria e re e Kosovës, në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, do të vendosë marrëdhënie reciproke me Serbinë. Reciprociteti është parimi në të cilin bazohen gjithë marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka shtuar tutje Zaimi për “Express”.
Ndërkohë sa i përket faktit që Rama e ka ftuar Presidentin Thaçi dhe jo Albin Kurtin si kryeministër në ardhje, Zaimi thotë se ftesa e figurave të tjera ka rol simbolik, pasi sipas tij presidenti nuk mund të bëhet pjesë e ndonjë marrëveshje potenciale që më pas mund të ketë ndonjë impakt në punën e qeverisë.
Lidhur me nismën e Ramës dhe Vuçiçit për Minishengenin, kanë folur edhe dy Përfaqësuesit Special të SHBA-së. Matthew Palmer ka thënë se në një iniciativë të tillë ka vend edhe për Republikën e Kosovës, ndërkohë Richard Grenell ka thënë se pa Kosovën nuk mund të ketë Minishengen.