Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se po dërgojnë më shumë trupa dhe pajisje ushtarake në Arabinë Saudite pas një sulmi të muajit të kaluar mbi objektet e naftës. Për këto sulme zyrtarët amerikanë dhe sauditë kanë fajësuar Iranin. Raportet cituan zyrtarë të Pentagonit të thoshin se dërgesa do të përfshinte një vendosje të madhe të trupave dhe dy sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Marrë së bashku me vendosjet tjera, kjo përbën një shtesë prej 3.000 forcash që janë autorizuar brenda muajit të fundit”, tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman përmes një deklarate. Zyrtarët e SHBA-së kanë njoftuar rritje të trupave, për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së Arabisë Saudite vendit kryesor në botë për prodhimin e naftës dhe një aleate e SHBA-së.
Por sulmet 14 shtatorit në dy objektet kryesore të naftës saudite, ulën përkohësisht 5 për qind të furnizimeve botërore të naftës, dhe nxorën në pah cenueshmërinë e infrastrukturës së objekteve të naftës në Arabinë Saudite. Sulmet u përshkruan si një “akt lufte” nga ana e Rijadit, zyrtarët e të cilit fajësuan gjerësisht Iranin.
Rebelët Huthi – të mbështetur nga Irani – që luftojnë forcat qeveritare në Jemenin fqinj, kishin marrë përgjegjësinë për sulmet. Shumë vëzhgues e konsiderojnë konfliktin jemenas si një luftë ndërmjet ndërmjet Arabisë Saudite me shumicë myslimane suni dhe Iranit të udhëhequr nga shiitët. /REL