Z. Dervishi, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?
Në atë ditë (pa internet, pa telefon, pa lajme, pa qasje në lajme ndërkombëtare) nuk e mbaj mend ku kam qenë, dhe shembjen e Murit të Berlinit nuk e kam marrë vesh më 9 nëntor 1989. Ndryshe nga vendet e tjera ku ngjarja u dha live në TV, në shtypin e kohës të nesërmen është botuar një lajm 4-5 rreshta: “Njoftim mbi ndryshimin e regjimit të vizave…”. Nuk thuhej se u “shemb muri”. Ngjarja më e madhe e fundshekullit XX u pasqyrua me 4-5 rreshta. Sot them që kjo ngjarje ishte më fatlumja për shqiptarët. I parapriu shembjes së regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, shtetit të dytë shqiptar në rajon, si dhe përparimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?
Në atë kohë ka qenë krejt i paimagjinueshëm ndikimi në Shqipëri, ani pse shembja e këtij Muri nuk ndikoi vetëm në Shqipëri, por në të gjithë kontinentin dhe madje në gjithë globin. Reflektimi i parë politik ishte sllogani politik i Ramiz Alisë, udhëheqësit të kohës: “Ne nuk jemi as Lindje, as Perëndim”. Në fakt ishim më keq se Lindja. Lëvizja e parë e vërtetë dhe e dukshme e udhëheqjes së atrofizuar të kohës ishte dhjetori ‘89 – kur u pushkatua udhëheqësi rumun Çaushesku. Në mos gaboj, të nesërmen Byroja Politike u mblodh dhe mori vendim që fshatari mund të mbante edhe “një kec/qingj të dytë”. Në retrospektivë, “Muri i Berlinit” pa dyshim ka qenë ngjarja më fatlume për të gjithë ata që jetonin në një vend ku liria e fjalës dhe besimit dhe e drejta e pronës private ishte e ndaluar me kushtetutë dhe që ëndërronin një shoqëri të lirë, një shoqëri ku njeriu mund të besojë pa patur frikën e ndëshkimit, një shoqëri ku individi mund të guxojë për të arritur më të mirën, pa qenë i ndëshkuar me ligj.
Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?
Sot jemi më mirë, por ndihemi më keq. Pritshmëritë kanë qenë të larta. Jemi kombi më me fat që nga rënia e Murit të Berlinit. Rendi ri Botëror, triumfi i kapitalizmit, atë që Fukujama në atë kohë e quante “fundi i historisë… triumfi i demokracisë liberale” bëri të mundur jo vetëm hapjen, ndryshimin e sistemit, por edhe shtetin e dytë shqiptar në rajon, si dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë në rajon.
Padituria e madhe në periudhën e parë të tranzicionit u kompensua më ndihmën bujare të Perëndimit, e të vendeve fqinjë. Nuk arritëm dot të ndërtojmë institucionet e një shoqërie të lirë. Rrëzimi i regjimit ishte shumë i lehtë, krahasuar me ndërtimin e institucioneve të tregut të lirë. Nuk patëm “stomak” të fortë për të përballuar ajrin e pastër dhe të ftohtë të lirisë dhe “vollëm” keq më 1996-1997. Ishim shumë pranë BE-së në atë kohë dhe sot pas 22 vjetësh jemi më larg se ç’kemi qenë në janar të vitit 1997. Drejtuesit e institucioneve janë më të moshuar se institucionet. Ishim të shpejtë në përmbysjen e sistemit të vjetër, por të paduruar, konfuzë dhe të paditur për të ndërtuar të renë. Është pak a shumë dilema që po shoqëron Drejtësinë e re. E vjetra po shembet me sukses. Pikëpyetjet tani janë për të renë që po ngrihet mundimshëm. Periudha mes shembjes së të vjetrës dhe ngritjes të së resë (Momenti Gramshi) nuk është më e këndshmja, madje është më e paparashikueshmja.
Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?
Më 1989 nuk e kam menduar se si do të ishte Shqipëria më 2009 apo 2019. Në atë kohë e ardhmja ime kufizohej e shumta në harkun e një viti: “Ku do të punoja pasi të merrja diplomën e inxhinierit një vit më pas më 1990! Por brenda një viti, ato çfarë ishin të pa imagjinueshme u bënë të pashmangshme dhe ndryshuan pothuajse gjithçka. Në tetor të 1989 nuk mendoja se pas një viti në Shqipëri do të “arratisej” Ismail Kadare, (Në tetor të 90-tës Shqipëria nuk kishte intelektualë që të prononcoheshin në Zërin e Amerikës për “ikjen e Kadaresë” dhe këta prononcime në atë kohë u morën në Prishtinë. Bëhet fjalë për një periudhë që ishte vetëm 6 javë para shpalljes së pluralizmit në Tiranë). Në1989-n nuk mendoja se do të hapeshin ambasadat, pavarësisht se futja e familjes Popa në ambasadën italiane ishte edhe “template”-i që do të përsëritjen fillimisht në Lindje dhe më pas në Tiranë. Në atë kohë, koncepti i plulralizmit mezi arriti te “pluralizmi i mendimit” Edhe pas shpalljes së pluralizmit, imagjinata në vitin 1990 nuk kalonte zgjedhjet e radhës. Motoja e fushatës së opozitës më 1992 ishte: ne qeverisim, bota na ndihmon. Prisnim mrekullinë, mbushjen e tregut dhe shijimin e mallrave të konsumit që ishin me racion.
Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?
Liria funksionoi dhe funksionon. U premtua ndihma e huaj dhe ajo nuk mungoi. Jemi vendi që për frymë kemi përfituar më shumë nga ndihma Perëndimore. Por lirinë nuk e pamë të lidhur me përgjegjësinë. Nisma private kanë bërë mrekulli. Vendi është tjetërsuar dhe nuk mund të krahasohet jo me 1989, por as me 1999, e madje në disa aspekte as me 2009. Më 1989 ishim vendi që kishim të sanksionuar në kushtetutë ndalimin e fesë, pronën private dhe marrjen e kredive. Ishim realisht “Koreja e veriut” në Europë. Ne e dinim që do të shkonim drejt “Koresë së Jugut”, por mentaliteti dhe trashëgimia u zvarritën dhe ende zvarriten. Çfarë shkoi keq?! Kaluam nga njëri esktrem i pendulit në tjetrin. E duam kapitalizmin, por urrejmë kapitalistët. Privatja u shenjtërua dhe publikja u anatemua. Varësia nga të huajt është që në gjenezë. Sllogani i qeverisë së parë ishte: “ne qeverisim, bota na ndihmon”. Ende pas 3 dekadash nuk bëjmë dot zgjedhje të pa kontestuara, nuk bëjmë dot madje as kur vjen puna te zgjedhjet në Akademinë e Shkencave! Raporti me ligjin mbetet tejet problematik. Aktorët kryesorë në çdo fushë mendojnë se ligji nuk mund t’i prekë kurrë, çfarëdo që të bëjnë dhe sado të paimagjinueshme pasojat e veprimeve të tyre.
Çfarë shkoi keq? Rotacioni i pushtetit është shoqëruar si “përmbysje regjimi” – nuk ndërtuam dot një shërbim civil të pandikuar nga politika dhe nga parti politike, që janë kthyer në parti sulltanësh. Ndërsa ekonomia shënoi progres, politika më së shumti regres. Cilësia e parlamentit të parë pluralist është ku e ku më lartë se cilësia e Parlamentit aktual. Marrja dhe dorëzimi i pushtetit është konceptuar më shumë si marrje dhe dorëzim i tepsisë së kekut…
Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?
Në fillim e nisëm me qasje radikale: terapinë e shokut në ekonomi. Dhe po citoj një nga fjalimet e kohës së ish zëvendëskryeministrit të ndjerë Gramoz Pashko, i cili i pyetur nga një deputet i Partisë së Punës nëse i qëndronte ende “terapisë së shokut”… dha këtë përgjigje: “Jo. Jo më. Shoku ka ndodhur në ekonominë shqiptare – tani na mbetet të bëjmë vetëm terapinë”. Rezultatet e para ishin mbresëlënëse.
Gabuam me pronat. Pas 30 vjetësh po kthehet debati për ligjin konsensual të pronave, të famshmin 7501 të miratuar nga PD dhe PS në shtatorin e vitit 1991. U gabua me trajtimin e shtresës së përndjekur e persekutuar dhe dështuam jo vetëm të ngremë institucionet, pa folur për Drejtësinë që gjatë gjithë tranzicionit mbeti drejtësi “luledielli”. Ne “qëlluam vetveten në këmbë” me fajdet dhe konfliktin politik që e çuam në zgrip. Nuk e kemi bërë ndarjen me të shkuarën dhe institucioni më i fortë që kemi ndërtuar janë partitë politike. Tranzicioni ynë lindi dhe po jeton me liderë të fortë dhe institucione të dobëta.
93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.
Për shkak të konfliktit politik, vendi humbi shansin e artë më 1996-1997 për të marrë marrëveshjen e asociimit me BE-në. Sot, pas 22 vjetësh jemi më larg BE-së se ç’ishim më 1996. Të shkosh në BE do të thotë të transformosh vendin, jo domosdoshmërisht të kesh infrastrukturë të mirë rrugore, por mbi të gjitha insfrastrukturë të mirë ligjore, ndërtim institucionesh të pavarura, praktikë e konsoliduar në ndarjen e pushteteve, në respektimin e fjalës së lirë dhe minoriteteve, respektimin dhe nxitjen e konkurrencës, drejtësi të pavarur, media të pavarura, shoqëri civile aktive. Gjërat shkojnë mirë kur ke mekanizma që kufizojnë qeverinë/pushtetin dhe jo kur qeveria është e pasfidueshme në Parlament, në gjykata, në institucionet e pavarura, apo edhe nga media e shoqëria civile. Shanset e arta për integrim i kemi humbur disa herë. Mali i Zi nuk ishte ende shtet më 2006 dhe sot negocion kapitujt. Serbia ka qenë në luftëra në rajon dhe sot negocion kapitujt. Kroacia ishte në luftë më 1995 dhe sot është vend anëtar. Kemi një vonesë tragjike historike dhe një keqkuptim të madh. Ne themi: nuk na duan në Europë. Europa nuk po mban fjalën. Europa na ka borxhe dhe e konceptojmë “vajtjen në Europë” si biletë që duhet të na paguajnë të tjerët. E kuptojmë si destinacion që duhet të shkojmë, dhe jo si faturë që duhet ta paguajmë vetë dhe si “godinë” që duhet ta ndërtojmë këtu.
A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?
Jo. Lopa që mbush kovën me qumësht dhe në fund i jep shkelmin është metafora që më vjen ndërmend. 1992, 1996, 2005, 2010. Qarkullimi i elitave politike nuk është bërë dhe nuk po bëhet sipas një rregullsie. Rregulli i thjeshtë: fitove shkon në qeveri dhe kur humbet largohesh dhe nuk kthehesh të mbash partinë për fyti, nuk është zbatuar. Justifikimi këtu ka qenë “i justifikuar”. Nuk kam “humbur” me zgjedhje të ndershme. Mbi interesin e vendit gjithmonë ka prevaluar interesi i ngushtë personal apo klanor.
Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.
Kjo është thembra Akilit. Me të drejtë është thënë shpesh se emëruesi i përbashkët që mban bashkë 28 vende të BE-së nuk është gjuha, historia, kultura, feja, etnia, por “rule of laë”. Fakti që pas tre dekadash po bëjmë një eksperimet unik me “reformën në drejtësi”, dëshmon se Drejtësia është ende larg. Ndoshta duhen edhe 3 dekada të tjera për të patur gjykatës, prokurorë, oficerë policie, zyrtarë burgjesh… që ligjin e konsiderojnë të shenjtë dhe të gjithë konsiderohen të barabartë para tij.
Sundimi i ligjit nuk është thjesht, ligj i mirë dhe i miratuar me duartrokitje, sundimi i ligjit është në radhë të parë mendësi. Zyrtarët, por jo vetëm ata, mendojnë se ligji duhet të veprojë, por pakkush mendon se ligji mund të veprojë tek ai.
Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?
Deri më tani kemi thënë: e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Hapja e negociatave me BE-në nëse ndodh shpejt është një sinjal shpresëdhënës. Por BE është projekt afatgjatë dhe BE pas 10 apo 20 vjetësh nuk do të jetë kjo që ne shohim sot. Historia e BE-së nga 6 vendet themeluese tek 28 që janë sot, është histori ndryshimesh dhe tranformimesh. Mjerisht sfida për 30 vitet e ardhshme është ngadalësimi i ritmeve të migrimit dhe përgatitja e vendit për të pritur emigrantë nga vende të tjera. E ardhmja do të ketë zhvillime të vrullshme teknologjike, por mënyra e të bërit politikë do të ndryshojë shumë pak.
Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?
Për të menduar si do të jetë Shqipëria pas 30 vjetësh, duhet të shoshiten në opinion disa pyetje e dilema: Si do të duam të jemi: si do të jetë arsimi? Çfarë vendi dhe hapësire do t’i kushtojmë teknologjisë së informacionit? Çfarë duam ne të prodhojmë? Me çfarë do të jemi ne konkurrues? Si do të jenë politikat për energjinë e pastër? Çfarë modeli pëlqejmë? A mundet që një vend kaq i pasur me burime nëntokësore, të ketë më pak probleme mbi tokë? Si do të jetë marrëdhënia me Kosovën dhe me fqinjët? Si e shohim ne të ardhmen brenda BE-së dhe çfarë BE-je na pret?
Mjerisht debati për problemet rrok në maksimumin e vet vetëm periudhën nga një palë zgjedhje në zgjedhjet e radhës.
Më vjen ndërmend një botim i dy akademikëve amerikanë, që vite më parë publikuan librin: “Pse dështojnë kombet” (“Why nations fail”) – përgjatë 250 viteve të fundit kanë prosperuar ato kombe që kanë dëshmuar se gjykata trajton njëlloj, si mbretin ashtu edhe shërbëtorin. Kanë përparuar kombet që kanë vlerësuar dhe investuar “trurin”.
Por me ritmet e tanishme e shoh një vend me më pak banorë, por me më shumë parti politike. E vetmja gjë që mund të them me siguri, është se pas 30 vjetësh, nëse janë gjallë ata që janë sot kryetar partish politike, do të jenë sërish në detyrë dhe në këtë kohë do të vijojmë të diskutojmë për raportin e radhës të OSBE-ODHIR për zgjedhjet. Intervistoi: Ermal Gjinaj / bota.al