Para se të merrte mandatin e deputetit, Ralf Gjoni ka qenë këshilltar i Ilir Metës, në kohën kur ky i fundi ishte kryetar Kuvendi. I ftuar në “Report Tv”, Gjoni tregoi se, që prej 2017 nuk ka asnjë komunikim me kreun e shtetit.
“Nuk kam asnjë marrëdhënie prej 2017 as pozitive as negative. Nuk e di çfarë reagimi mund të ketë nga ai, por nuk ia kam bërë pyetjen vetes. Nuk kam asnjë komunikim apo mesazhe, zero komunikim që nga 2017 kur ai është bërë President. Nuk dua të merrem me Metën, kauza ime është sistemi”, deklaroi Gjoni.
Po ashtu, deputeti i sugjeroi presidentit që të jetë më i vëmendshëm ndaj inkurajimit të një reformë që përfshin ndryshimin e sistemit.
Sa i përket raportit të Komisionit të Venecias për zhdekretimin e 30 qershorit nga Meta, Gjoni nënvizoi: “Unë e kam deklaruar nuk kam qenë pjesë e këtij procesi, e kam denoncuar si politik. Mënyra e vetme për ta trajtuar është institucionale“.