Për shkak të kërkesave të larta të kartave të identitetit, mësohet se zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe të shtunën. Gjatë verës, me rritjen e numrit të emigrantëve shtohen dhe kërkesat për karta të identitetit dhe pasaporta biometrike. Për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve, Ministria e Brendshme ka vendosur që zyrat e aplikimit të jenë të hapura edhe të shtunën.
Ky është lajmërimi që ka bërë zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda. “Me një urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve por edhe emigrantëve, të cilët kanë ardhur për të aplikuar për pasaporta biometrike, çdo të shtunë tashmë, zyrat e shërbimit të qytetarëve janë të hapura dhe qytetarët mund të shkojnë dhe të aplikojnë, edhe jashtë orarit zyrtar’’, shprehet Voda.
Gjithashtu Voda kërkon qe te gjithë qytetarët të vazhdojnë të aplikojnë, pasi me kartën e vjetër është i pamundur shërbimi. ‘’Ju lutem vazhdoni të aplikoni jo vetëm për pasaporta biometrike, por edhe për karta identiteti, pasi që nga muaji tetor, nëse ju nuk do të keni edhe kuponin e aplikimit për kartën e re të identitetit, do të jetë shumë e vështirë që t’ju ofrohet një shërbim me kartën e vjetër’’, përfundon fjalën zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda.