Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e përsëritura për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit u zotua se do të nxjerrë mësime nga “mesazhi i dhënë nga populli”.
Erdogan e uroi përsëri kandidatin e opozitës Ekrem Imamoglu i cili fitoi 54.21% të votave në zgjedhjet e së dielës për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit. Ai e pati përgëzuar më parë Ekrem Imamoglun me anë të një postimi në Twitter.
Ai shënoi një humbje të rrallë elektorale, në zgjedhjet e të dielës me partinë me prirje islamike, që udhëhiqte prej vitesh Bashkinë e Stambollit. Kjo ishte gjithashtu një goditje personale ndaj zotit Erdogan, fuqizimi i të cilit në politikën turke filloi me zgjedhjen e tij si kryetar bashkie, 25 vjet më parë.
Zgjedhjet e përsëritura të së dielës, në Stamboll, u mbajtën pasi partia në pushtet e kundërshtoi rezultatin, për shkak të dyshimeve për parregullsi. Nisur nga kjo, komisioni zgjedhor anuloi rezultatet dhe mandatin e zotit Imamoglu pas 18 ditësh.
Ekrem Imamoglu fitoi me një diferencë prej 800 mijë votash, krahasuar me një diferencë prej 13,000 votash që pati në votimin e parë duke elektrizuar kështu partinë laike të opozitës, që ka kaluar pothuajse dy dekada në opozitë.