Kryeministri grek Alexis Tsipras thekson se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë, është një ndër kushtet kryesore për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Këtë fakt ai thotë se ia ka shpjeguar edhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Kryeministri i Greqisë ka përmendur mes të tjerash marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, gjatë një interviste të dhënë për Financial Times.
Kryeministri grek, tregon se i ka shpjeguar kryeministrit Edi Rama, se Tirana zyrtare duhet të mbrojë më mirë të drejtat e minoritetit grek, në të kundërt, rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE do të mbyllet.
“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë, për të filluar proceset e pranimit në BE, së bashku edhe Maqedoninë e Veriut.
Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë”, thekson Tsipras.