Policët dhe mjekët në Shqipëri, kanë një marrëdhënie dashuri-urrejtje, me pjesën tjetër të qytetarëve. Kjo për shkak të kulturës së dobët të shërbimit, por mbi të gjitha për shkak të korrupsionit të një pjese të tyre. Me ryshfetin ndaj policit, qytetari në hall negocion ndonjë gjobë, apo edhe mos privimin nga liria. Me ryshfetin ndaj mjekut, ai bën shpesh pazar me jetën e tij. Ndaj në këtë rast, emocionet dhe reagimet janë shumë të forta.
Dje në Elbasan, familjarët përcollën për në banesën e fundit 25-vjeçaren Rexhina Debrova, që ndërroi jetë pas një arresti kardiak, vetëm 1 orë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. Policia arrestoi 2 mjekë, me akuzën e neglizhencës në kryerjen e detyrës. Një muaj më parë në Korçë, një 67-vjeçar ndërroi jetë në spital. Vajza e tij, akuzoi në media mjekët për shpërfillje kriminale të simptomave të tij. Sipas saj, i sëmuri rëndë u la në shtëpi, duke u këshilluar të pijë vetëm lëngje.
Veç bujës së momentit, nuk ndodhi asgjë. Asnjë hetim, asnjë masë disiplinore. Drejtuesit e spitalit, u hodhën në mbrojtje të mjekes së turnit. Edhe në rastin e Elbasanit, kolegët e 2 të ndaluarve protestuan, me ndërprerje të përkohshme të punës. Mesazhi është i qartë:Vdekjet, janë “dëme anësore” të pashmangshme në çdo shërbim spitalor, të mbrojmë figurën e mjekut! Kjo është në parim e vërtetë. Por mjekët, sipas Betimit të Hipokratit, kanë për detyrë të dëshmojnë së kanë bërë maksimumin, dhe në kohën e duhur, për t’i shpëtuar jetën një pacienti.
Kur familjari i një personi që sapo ndërron jetë, edhe me njohuritë me modeste mbi protokollet mjekësore, arrin të gozhdojë me pyetje titullarin e një spitali, del se mjekët e kanë shkelur Betimin e Hipokratit.
Përgjegjshmëria, ndërgjegjja profesionale në punë nga bluzat e bardha, janë elementë që kërkojnë një reformë të thellë dhe afatgjatë në sistemin shëndetësor. Ato nuk mund të garantohen nga asnjë koncesion./ Tirana Today