Destinacionet historike si kalatë, manastiret dhe kështjellat tashmë janë kthyer në vende atraktive për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.
Këto destinacione iu ofrojnë turistëve një prekje në histori dhe në të kaluarën duke ndërthurur bukuritë e peizazhit me historinë dhe antikitetin.
Një tjetër destinacion i tillë ‘fshihet’ në veri të fushës së Zadrimës, aty ku Drini zbret në fushë, në grykën e tij të fundit, mbi një kodër shkëmbore të lartë 204 m ruhen muret e kështjellës së Danjës, Dejës.
Ky fortifikim mesjetar ka disa periudha ndërtimore, që fillojnë në shek. XIII e për t’u kthyer në shek.XV si rezidenca e fortifikuar e Zakarijeve. Përmendet për herë të fundit në vitin 1522 si një kështjellë e braktisur. Është shpallur monument kulture i Kategorisë së I në vitin 1971.