Ajo që ka ndodhur me një foshnjë 11 muajshe, mund të quhet padyshim një mrekulli.
Foshnja u nxorr e gjallë nga gërmadhat e një ndërtese, e cila ishte shembur rreth 35 orë më parë në Magnitogorsk të Rusisë.
Ai ka qëndruar në temperaturën -17 gradë prej plot 35 orësh, ndërsa u gjet nga forcat e shpëtimit i mbështjellë në një batanije dhe në krevatin e tij në qytetin e Urals, rreth 1.695 km në lindje të Moskës.
Fëmija i shpëtuar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, megjithatë mjekët janë optimistë.
Guvernatori i rajonit Chelyabinsk, Boris Dubrovsky, në aplikacionin “Telegram”, shkroi se zbulimi i foshnjës djalë u bë gjatë “minutës së heshtjes”, kur ekipet ndërpresin punimet për të dëgjuar të mbijetuarit e mundshëm të lëshojnë ndonjë zë.
“Fëmija ka shpëtuar sepse ishte i mbështjellë mirë dhe brenda krevatit për fëmijë”, shkroi Dubrovsky.
Më poshtë videoja e bërë nga punonjësit për kërkim dhe shpëtim ku shihet se si ata nxjerrin nga gërmadhat foshnjën 11 muajshe i cili ka pësuar trauma të kokës dhe ngrirje të ekstremiteteve, megjithatë stafi mjekësor thotë se prognoza është pozitive.
Nëna e djalit është e gjallë dhe ajo ka mbërritur në spital.