Nga Uri Friedman “The Atlantic”/ Në këtë pikë të presidencës së tij, Xhorxh H.Ë. Bush (i vjetri) po përgatitej të niste luftën kundër Irakut, Bill Klintoni kishte nisur bombardimin e objektivave serbe në ish-Jugosllavi, Xhorxh Ë. Bush kishte pushtuar Afganistanin, dhe Barak Obama ishte gati të përballej me Pranverën Arabe. Ndërkohë Donald Trumpi ka qëlluar me fat.
Ky është përfundimi i një raporti të publikuar pak ditë më parë nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR), duke renditur konfliktet që mund të kërcënojnë më shumë Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm. Studimi vëren se administrata Trump “nuk është përballur ende me një krizë serioze ndërkombëtare, në të cilën presidentit t’i jetë dashur të përballet me vendimin e vështirë, nëse do të angazhojë apo jo Shtetet e Bashkuara në një ndërhyrje të re ushtarake, dhe potencialisht të kushtueshme”.
“Është e arsyeshme”- shkruajnë autorët e raportit, “të supozojmë se është vetëm një çështje kohe, para se administrata Trump të përballet me krizën e saj të parë të madhe”. Ja cilat janë disa nga përfundimet më të rëndësishme të studimit:
Fati ka favorizuar Trumpin
Pol Stejrs, që mbikqyr raportin vjetor të CFR, pranoi se Trump është përballur me disa sfida të rënda të sigurisë. Për shembull, në Siri Bashar Al-Asad, përdori disa herë armët kimike kundër popullit të tij, ndërsa Koreja e Veriut testoi pajisjen bërthamore më të fuqishme, dhe raketat balistike që mund të arrijnë për herë të parë territorin e SHBA-së.
Por Stejrs vuri në dukje se presidenti nuk u duk se e mori seriozisht kundërshtimin e mizorive
të Asadit, duke mos shkuar më tej se sa sulmet e kufizuara ajrore. Dhe ndërsa retorika luftarake e Trump ndaj Koresë së Veriut vitin e kaluar krijoi një atmosferë krize, nuk është e qartë nëse ai do të ndërmerrte vërtet veprime ushtarake.
Zhvillimet që mund të shkaktojnë një përgjigje të konsiderueshme ushtarake amerikane, si një sulm në shkallë të gjerë ndaj qytetarëve amerikanë, apo një agresion rus kundër një aleati të NATO-s, nuk janë materializuar, vuri në dukje Stejrs. Të vetmen herë që Trumpi dislokoi trupat amerikane në një operacion të ri ushtarak, ishte në kufirin me Meksikën për të penguar një karvan emigrantësh të hynte në vend përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, një lëvizje
që kritikët e tij e cilësuan si një marifet politik.
Presidenti e ka përdorur forcën me masë, pjesërisht, sepse ai nuk i ndan pikëpamjet e paraardhësve për Shteteve të Bashkuara, si garante të stabilitetit global. Por, siç më tha Stejrs, “mund të thuash se ishte thjesht me fat”. Studimi i CFR, në të cilin rreth 500 zyrtarë të qeverisë amerikane dhe ekspertë të politikës së jashtme, vlerësuan gjasat dhe ndikimin mbi interesat e SHBA-së të 30 incidenteve hipotetike në vitin 2019, flet për një sërë vendesh ku fati mund të mos jetë më aq bujar.
Konflikti mes fuqive të mëdha, është tani për tani më shumë i ftohtë sesa i nxehtë
Brenda dhe jashtë qeverisë së SHBA-së, ka shumë diskutime rreth konkurencës së ashpër midis fuqive të mëdha botërore, qoftë në formën e Rusisë që ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve të vitit 2016, apo me Shtetet e Bashkuara që po zhvillojnë një luftë tregtare me Kinën. Por pjesëmarrësit në sondazhin e CFR, nuk u dukën veçanërisht të shqetësuar se grindje të tilla politike dhe ekonomike, janë shndërruar në vatra të nxehta. Vetëm një kontigjent që përfshin drejtpërdrejti Kinën ose Rusinë – një konflikt i armatosur midis Kinës dhe njërit prej partnerëve rajonalë të Amerikës mbi territorin e diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore – u shfaq në nivelin më të lartë të rreziqeve që përmend raporti.
Kjo kategori, përfshin situata që ka shumë të ngjarë të ndodhin vitin e ardhshëm, ose që mund të shkaktojnë një shkallë të lartë të dëmtimit të interesave të SHBA-së. Skenarë të tjerë, mund të implikojnë rivalët gjeopolitikë të Shteteve të Bashkuara. Një nga rreziqet më të renditura në raport, ishte një sulm kibernetik mbi infrastrukturën dhe rrjetet kritike të SHBA-së, të cilat
mund të kryhen nga një aktor i sofistikuar shtetëror si Kina apo Rusia.
Rivendosja me forcë e qeverisë së Asadit në Siri, skenar që të anketuarit mendojnë se ka shumë gjasa të ndodhë, mund të mos kundërshtohet as nga Uashingtoni dhe as nga Moska. Sidoqoftë, një ngjarje me probabilitet të ulët por me ndikim të madh, shfaqet në studim për
herë të parë në historinë e saj 11-vjeçare:një krizë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mbi Tajvanin përpara zgjedhjeve të vitit 2020, të cilin Pekini e pretendon si territorin e tij sovran.
Ndërsa Trump ndezi tensionet si president i zgjedhur, duke marrë një telefonatë nga udhëheqësi
i Tajvanit, mosmarrëveshja nuk ka arritur nivelin e krizës që nga administrata e Klintonit, kur Kina gjuajti me raketa pranë ujërave që rrethonin ishullin.
Nëse ndonjë aspekt i fushatës së presionit të Xi Jinping kundër Tajvanit, do të shpalosej për të provokuar administratën Trump, udhëheqësit kinezë mund të ndërmarrin veprime konkrete “pasi ata e ndjenë se Tajvani është pjesë e Kinës” dhe homologët e tyre amerikanë mund të kundërpërgjigjen, për shkak se kjo është tani prova e vërtetë e vullnetit me Kinën. Besueshmëria jonë është në provë, dhe e ardhmja e shekullit 21 do të varet nga mënyra se si ecën kjo krizë e veçantë”- tha Stejrs.
Nuk kemi asgjë në vijë me Korenë e Veriut
Të anketuarit nuk ishin aq të shqetësuar sa vitin e kaluar, për një konflikt ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Por, rikthimi i tensioneve në gadishullin korean pas dështimit të bisedimeve mbi programin bërthamor, u shfaq si një rrezik me prioritet të lartë.
Rezultatet e sondazhit tregojnë se “njerëzit nuk besojnë sinqerisht se Trumpi e ka zgjidhur këtë çështje, apo se Koreja e Veriut është realisht në rrugën e denuklearizimit, dhe ata besojnë se nuk do të duhet shumë për të rihapur një vatër të madhe konflikti”- vëren Stejrs.
Trazirat në dy Amerikat
Megjithëse konfliktet e mundshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut janë më të përhapura në raport, studimi i fundit paraqiti më shumë skenarë në Amerikën Latine, se në çdo vit të mëparshëm, duke përfshirë një krizë ekonomike dhe një destabilitet politik në Venezuelë (një shqetësim i madh) dhe dhunë dhe trazira në Nikaragua. Disa të anketuar, floën ndërkohë për perspektivën e trazirave civile në Brazil, që sapo zgjodhi si president një politikan të ekstremit të djathtë, Xhair Bolsonaro.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce