Administrata Trump vendosi sanksione të reja ndaj zyrtarëve dhe subjekteve ruse lidhur me ndërhyrjen në zgjedhje si dhe rreth atyre që departamenti i Thesarit i quan aktivitete të tjera “keqdashëse”.
Ato përfshijnë dyshimet rreth tentativës për vrasjen e një ish-agjenti rus dhe vajzës së tij në Britani.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për të penguar dhe për t’u mbrojtur ndaj veprimtarisë së vazhdueshme keqdashëse të Rusisë“, tha të mërkurën sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin.
Mes atyre ndaj të cilëve janë vendosur sanksione janë 15 agjentë të zbulimit ushtarak dhe katër njësi qeveritare, përfshirë Agjencinë e Kërkimit në Internet.
Sipas një raporti të ri dorëzuar Senatit amerikan këtë javë thuhej se kjo agjencipërdorte çdo platformë të madhe të mediave sociale për të ndikuar votuesit në vitin 2016 për të hedhur votat për Donald Trump-in si dhe për të keqinformuar votuesit që nuk kishin gjasa ta mbështesnin atë, duke i dekurajuar që të votonin.
Sansionet e së mërkurës godasin edhe ata që hakeruan Agjencisë Botërore kundër-Doping-ut, Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe agjenci të tjera jo-politike.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit deri më tani administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj 272 shtetasve e subjekteve ruse për “një gamë të gjerë aktivitetesh keqdashëse”.