Një ditë më parë, PD bëri publike listën me emrat e 220 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Në këtë listë bie në sy rikthimi i Gazmend Oketës, Aleksandër Biberajt, Dashamir Sulës apo dhe Selami Xhepës.
Në emisionin ‘Real Story’, Oketa u shpreh se rikthimi ne PD, nuk ka qenë produkt i asnjë marrëveshje mes tij dhe kryetarit Basha. Po kështu ai ka trumbetuar se ka ardhur momenti që e djathta shqiptare të bashkohet, e të riorganizohet.
“Rikthimi im në PD, nuk ka qenë asnjë marreveshje mes meje dhe Bashës. Ka qenë një proces i nisur disa muaj më parë. Komunikim me miq dhe me Bashën për këtë lëvizje.
Unë nuk jam kthyer për shkak të një emri të vetëm. Është momenti që e djathta shqiptare duhet të bashkohet, dhe të riorganizohet. Nuk më pëlqen që Kryeministri i vendit tim, t’i drejtohet kreut të opozitës me epitete. Duhet të ruhet etika e komunikimit në lidhje me komunikimin midis tyre”.
Oketa foli edhe për FRD, e cila sipas tij ishte një lëvizje e domosdoshme për atë kohë. Ai theksoi se Kodi Zgjedhor penalizon çdo iniciativë te re politike për të garuar si të barabarta.