Jose Mourinho nuk di të ndalet së krijuari polemika dhe sulme ndaj atyre që nuk e duan apo respektojnë. Në deklaratën e fundit ai foli për portierin spanjoll De Gea dhe sulmet e shumta në drejtim të tij kur ai luan me kombëtaren: “E dini pse e kritikojnë De Gea në Spanjë? Unë e di. Sepse ekziston një person shumë i fuqishëm që po mendon të rikthehet. Por besoj se është shumë e vështirë që t’ia dalë mbanë kur përballë ke portierin më të mirë në botë.
Dhe ky person nuk po e bën përmes Luis Enrique, që e njoh mirë dhe e kam mik të mirë. Por po e bën përmes mjeteve të komunikimit. Ky person a ka luajtur me Real Madrid? Po, kemi qenë kampionë bashkë”.
E përditshmja spanjolle AS i ka bërë një analizë këtyre deklaratave dhe ka dalë në përfundimin personi i sulmuar nga Mou është pikërisht Iker Casillas. Duke konsideruar faktin që titullin e vetëm në Spanjë, Mourinho e ka fituar me Casillas në portë, ka shumë pak për të imagjinuar mbi personin që sipas portugezit, po sulmon shëmtuar dhe me hile portierin De Gea.
Marrdhëniet me Mou dhe Casillas nuk kanë qenë asnjëherë të mira, pasi trajneri portugez e pati akuzuar në kohën kur ishin bashkë në Madrid se ai bënte spiun dhe urith që rridhte informacionin jashtë dhomave të zhveshjes.
Sipas Mourinhos, pas gjithë këtyre sulmeve ndaj De Geas qëndron një person, dikush emrin e të cilit portugezi nuk e përmend, por për të cilin lehtësisht mund të imagjinohet profili edhe pa patur cilësitë prej kriminologu. Pas sulmeve ndaj De Gea qëndron Casillas. Motivi? Rikthimi në kombëtare, meqenëse portieri i Porto e ka thënë pa rezerva: “nëse më kërkon përfaqësuesja, atëherë kthehem me vrap”.