Çështja e ekstremistit grek të vrarë nga RENEA duket se do të jetë në qendër të vëmendjes së medias greke, por edhe asaj shqiptare për shumë kohë. Teksa ende nuk është publikuar rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore, disa nga mediet greke vijojnë “t’i hedhin benzinë zjarrit”, duke shtuar tonet e gjuhës raciste ndaj shqiptarëve.
I tillë është një shkrim i publikuar së fundmi nga gazeta greke “Protothema.gr.”, ku akuzon shqiptarët për provokim dhe mosrespektim të familjes së të ndjerit.
Kjo media greke ka përdorur një gjuhë raciste, që nxit urrejtjen mes popujve e që në fakt nuk i leverdis as Shqipërisë dhe as Greqisë, ndërkohë që duhej pritur rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore.
Konkretisht, në artikull shkruhet:
“Autoritetet shqiptare po provokojnë përsëri. Ato jo vetëm që refuzojnë të lejojnë familjen e Konstandinos Kacifas që të varrosin trupin, por kanë lëshuar akuza ndaj tij. Në këtë kontekst, ata e panë të arsyeshme që të lëshonin fletëthirrje për gruan e Kacifas që të dëshmojë në Tiranë! Gruaja e tij jeton me vajzën e tyre 13-vjeçare në Kretë. Duhet të theksohet se fillimisht autoritetet shqiptare i kanë kërkuar familjes së Kacifas që të nënshkruanin një dokument ku deklaronin se ata nuk kanë pretendime nga shteti shqiptar lidhur me vdekjen e Kacifas.
Kur familja refuzoi, ata e sollën trupin e tij në Tiranë dhe prokurori shqiptar ngriti akuza kundër burrit të vdekur!
Sipas informacioneve të deritanishme, qeveria shqiptare ka frikë se funerali i Kacifas do të kthehej në një demonstratë të minoritetit grek kundër autoriteteve shqiptare”.
Nëse analizojmë këtë artikull, vihet re qartazi gjuha e urrejtjes përdorur ndaj shqiptarëve. Së pari, thirrja e bashkëshortes së Kacifas për të dëshmuar, nuk është mosrespektim i dhimbjes së familjes. Kjo pasi, dëshmia e bashkëshortes do të ishte kyçe për hetimin që vijon, pasi një detaj fare i vogël do të dëshmonte nëse ngjarja në Bularat ishte e planifikuar, apo një incident që përfundoi në tragjedi. Pra, në raste të tilla, hetimi nuk mbështetet vetëm në detaje nga dita e ngjarjes, por edhe në detaje të tjera të një periudhe më të hershme që tregojnë për personalitetin, planet apo gjithçka tjetër që mund të zbardhte këtë ngjarje të rëndë.
Së dyti, nuk mund të thuhet se autoritetet shqiptare po akuzojnë viktimën, pasi është detyra e prokurorisë që të hetojë ngjarjen, pra në këtë rast hetohen rrethanat që lidhen me ngjarjen e rëndë dhe drejtpërdrejt me Konstandinos Kacifas, por askush nuk ka akuzuar deri më tani viktimën. Madje, duhet thënë se autoritetet shqiptare kanë mbajtur një qëndrim neutral, duke mos dhënë detaje mbi ngjarjen, por duke pritur dhe duke u fokusuar te ekspertiza mjeko-ligjore, e cila presim që të zbardhë të gjithë ngjarjen./ TIRANA TODAY