Pas vendimit të kreut të AMA-s Gentian Sala, për ndalimin e sinjalit televiziv analog më 10 shtator. katër anëtarë të Bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive kërkojnë shkarkimin e tij.
Mbledhja e radhës e Bordit të AMA-s është shoqëruar me debate të ashpra, ndërsa katër anëtarët kanë theksuar se vendimi i marrë nga kreu i institucionit Gentian Sala ka sjellë cënimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për informim. Ata thonë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë vendimmarrje.
Mbledhja e rradhës e Autoritetit të Medias Audiovizive është shoqëruar me debate të ashpra mes kryetarit Gentian Sala dhe anëtarëve të Bordit.
Katër nga këta të fundit kanë qenë kritik ndaj vendimit për rindezjen e sinjalit analog.
Ata kanë propozuar një plan masash në mënyrë që një situatë e tillë të mos përsëritet në janar të vitit 2019.
Por pavarësisht qëndrimeve kundër dhe kritikave, drejtori i AMA-s, Gentian Sala, mban të njëjtin qëndrim duke shpjeguar se problemet me dixhitalizimin e detyruan institucionin që drejton të tërhiqet nga vendimi për fikjen e sinjalit analog.
Katër anëtarët e bordit, Sami Nezaj, Suela Musta, Agron Gjekmarkaj dhe Zylyftar Bregu kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit Gentian Sala, madje kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për largimin e tij.
Në një deklaratë, katër firmëtarët e kësaj nisme theksojnë se kërkesa e tyre vjen pas vendimit të kryetarit të AMA-s, Gentian Sala, për të mbyllur transmetimet analoge në datën 10 shtator pa njoftuar dhe mbledhur paraprakisht Bordin vendimarrës të institucionit.
Sipas katër anëtarëve të Bordit të AMA-s, ky vendim shkaktoi shkelje masive të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për informim, mbrojtur kjo nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Katër anëtarët e AMA-s theksojnë se qytetarët në qarqet Tiranë dhe Durrës u gjendën të papërgatitur dhe të painformuar për mbylljen e sinjalit analog dhe kalimin në transmetim dixhital.