Nga Jasmin Mujanoviç, “BIRN”
Boja e marrëveshjes mbi emrin e ri të Republikës së Maqedonisë nuk është tharë ende, dhe nacionalistët në Shkup dhe Athinë po përpiqen tashmë ta sabotojnë atë.
Kjo ishte diçka e parashikueshme, dhe supozohet se Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras kanë treguar kujdesin e duhur për të siguruar që të kenë votat e duhura në parlament, për ta bërë realitet miratimin e “Republikës së Maqedonisë Veriore” dhe rrugën e saj drejt NATO-s dhe anëtarësimit në BE.
Ndërsa rezultati i kësaj përpjekjeje mbetet është ende një çështje e hapur, vlen të vlerësohet ndikimi më i gjerë rajonal i zgjidhjes potenciale të çështjes së emrit të Maqedonisë.
Ndryshe nga gjendja festive në Bruksel, shumë udhëheqës në Ballkanin Perëndimor, nuk janë të kënaqur me këtë kthesë që kanë marrë ngjarjet.
Për të kuptuar arsyen, është e nevojshme të reflektojmë se si kemi ardhur deri këtu, dhe ku mund të shkojë apo mos shkojë rajoni, nëse këto negociata përfundojnë me sukses.
Triumfi i qeverisë së Zaevit, ishte rezultati i drejtpërdrejtë i “Revolucionit Shumëngjyrësh” – rebelimit 1-mujor të qytetarëve të Maqedonisë kundër regjimit proto-autoritar të Nikolla Gruevskit.
Në rrugë dhe sheshe u tubuan turma të mëdha njerëzish, që detyruan ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë të ndërhynin, pas zbulimeve të skandalit të përgjimit.
Ishin ata që detyruan dorëheqjen e Gruevskit, dhe ata që siguruan fitoren e Bashkimit Social Demokrat të Zaevit, SDSM, në zgjedhjet që pasuan.
Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, duhet të lavdërohen për përmbushjen e pritshmërive të elektoratit maqedonas, dhe për shkak se kërkuan që Athina të distancohet më në fund nga politika e saj e vjetër, e pengimit të përparimit euro-atlantik të Shkupit.
Por ky përparim i madh nuk do të kishte ndodhur, pa dëshirën revolucionare për një demokraci të vërtetë nga ana e maqedonasve të zakonshëm, dhe gatishmërinë së këtyre të fundit për ta realizuar këtë si në rrugë ashtu edhe në kutinë e votimit. Ky hije revolucionare, kërcënon sallonet e pushtetit në Beograd, Podgoricë, Sarajevë dhe Banja Luka.
Regjimet autokrate në të gjithë Ballkanin, të cilat i kanë zbrazur me sukses zgjedhjet nga dimensionet e tyre thelbësore demokratike, por dhe kapacitetet për të ndikuar vërtet në ndryshime, kanë frikë nga ky precedent maqedonas.
Për ta ishte një shembull shumë i keq që Gruevski u largua, pas një kryengritje nga ana e qytetarëve të tij. Por, fakti që qeveria që e pasoi është tani në kulmin e zgjidhjes së njërës prej mosmarrëveshjeve më të zgjatura dypalëshe në historinë moderne, përbën një kthesë vërtet të tmerrshme të ngjarjeve për këto elita.
Ky zhvillim i ka dhënë qytetarëve në të gjithë rajonin dy përbërës thelbësorë, që kryesisht kanë munguar gjatë 3 dekadave të fundit:shpresën, dhe një plan për ndryshim.
Ajo si Rusia e Vladimir Putinit, që druhej se protestat e Euromaidanit ukrainas, mund të shndërroheshin në një frymëzim për rusët e zemëruar nga tendencat kleptokrate dhe autokratike të regjimit të tij, po kështu edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, frikësohet nga rrjedha e ngjarjeve në Maqedoni.
Për më tepër, administrata e tij, së bashku me aleatët e vet në Kremlin, mbështetën për vite me radhë regjimin e Gruevskit. Vuçiç tërhoqi qëllimisht të gjithë personelin e ambasadës serbe nga Shkupi në gushtin e vitit 2017, për të minuar qeverinë e re të udhëhequr nga SDSM.
Pretendimi i Beogradit, se ai qe një reagim ndaj mbështetjes së Shkupit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ishte tërësisht absurd. Në ëndrrat e tyre të përhershme, ngjarjet në Maqedoni ishin një grusht shteti i orkestruar, nga shërbimet sekrete anglo-evropiane, dhe me gjasë të financuara nga Xhorxh Soros.
E vetmja gjë që ata nuk mund t’i lejonin publikut të tyre të besonte, ishte se ngjarjet në Maqedoni qenë një reagim tërësisht vendas, pas viteve të korrupsionit, nepotizimit, rritjes së shovinizmit dhe autoritarizmit nga regjimi i Gruevskit – një kombinim i cilësive thelbësisht identike me atë që shohim ende në pjesën më të madhe të rajonit.
Tek e fundit, nëse reagimi në Maqedoni ndaj dekadave të kleptokracisë, do të ishte largimi i regjimit, dhe nëse pasoja e saj do të qenë një nxitje e shpejtë për mirëqenien socio-ekonomike dhe strategjike të vendit – pse të mos bëjmë të njëjtën gjë në Serbi apo Bosnje?
Pse të mos tentojmë të njëjtën gjë në Kosovë apo edhe në Malin e Zi, një vend në rajon që nuk ka parë ndonjë ndryshim në qeveri në gati 3 dekada?
Ka një përgjigje, që mund të mblidhen në një analizë të tillë. Sikurse e tregoi në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të shkuar, ish-partia qeverisëse e VMRO-DPMNE-së në Maqedoni, dhe në një mënyrë më tronditëse me sulmin në parlamentin maqedonas nga militantët e saj në prillin e vitit 2017, edhe kur shtyhen në humnerë, regjime të tilla nuk do të heqin dorë nga pushteti në mënyrë paqësore.
Ato janë të gatshme të rrezikojnë ndezjen e një luftë civile të plotë nëse llogarisin – si arkitektët e shpërbërjes së Jugosllavisë – se një gjakderdhje e tillë do t’i mbajë ata në pushtet.
Për këtë arsye, përvoja e Maqedonisë në 2 vitet e fundit është kaq me vlerë:përballë njërit prej regjimeve më represive në rajon, maqedonasit u mobilizuan, organizuan dhe demonstruan derisa sa e mundën qeverinë e Gruevskit, dhe më pas rifilluan projektin demokratik në vendin e tyre.
U takon udhëheqësve në Shkup, Athinë, Bruksel dhe madje edhe Uashington, të sigurojnë që guximi i treguar nga shtetasit maqedonas të mos shkojë kot.
Ndërkohë, në pjesën tjetër të rajonit, ne presim me padurim shpërthimin e ardhshëm të revolucionit shumëngjyrësh.
Shënim: Dr. Jasmin Mujanoviç, është një shkencëtare politike, e specializuar në politikën e Evropës Juglindore dhe në demokratizimin post-autoritar dhe pas konfliktit. Libri i saj i parë titullohet “Uri dhe tërbim:Kriza e demokracisë në Ballkan”.
PËRSHTATI TIRANA TODAY