Shqiptarët nënë e djalë janë ndaluar nga autoritete italiane pasi merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Vitet e fundit ata kishin përhapur aktivitetin e tyre ilegal në Lucca, duke u shitur drogë të miturve.
Adelina Lisi 40- vjeç dhe djali i saj 23-vjeçar Hasan Lisi, e nisnin punën në orën 08:30 të mëngjesit deri në mbrëmje në orën 23:00, duke shitur doza kokaine, marijuane dhe hashashi. Në biznesin e tyre, ata kishin përfshirë edhe dhëndrin rumun, Daniel Valentin Ungureanu 28 vjeç, i cili gjithashtu u arrestua.
Në harkun kohor të dy viteve, kjo familje kishte blerë dy shtëpi, një sipërfaqe toke dhe një makinë. Pronat e tyre u sekuestruan nga policia italiane, vlera e të cilave shkon në 200 mijë Euro. Sipas mediave vendase, familja shqiptare kishte zëvendësuar në këtë aktivitet një familje marokene (babain dhe dy fëmijët), të cilët u arrestuan në Qershor 2016 për shitje droge.
Gjatë operacionit të autoriteteve italiane, u sekuestruan 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 15 gram kokainë. Hetimi ndaj familjes shqiptare kishte nisur më 27 Korrik të vitit të kaluar, dhe që prej asaj periudhe ata ishin mbajtur nën përgjim. Policia kishte dëgjuar bisedat e nënës që bënte me blerësit e drogës. Klientëve më të besuar ajo u thoshte se nga të ardhurat që përfitonte përmes punës ilegale, mbante familjen me bukë.
“Ju jeni njerëz të mirë. Kam 10 njerëz në shtëpi për të ushqyer. 10 vetë që duan të ushqehen me një rrogë”, ka thënë Adelina, duke shpjeguar se djali i saj kishte kërkuar punë por pa sukses. Policia italiane tha se një dozë kokainë 0.8 gram e shisnin për 60 Euro, kurse 1 gram marijuanë varionte 5-10 Euro.
Burimi: luccaindiretta.it
Përktheu: Tirana Today