Mbrëmjen e sotme në zonën e Kinostudios në Tiranë ka mbetur i vrarë shtetasi Mario Majollari, 28-vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta, pranë një karburanti dhe një picerie. Viktima është banues në Kinostudio. Ai ishte duke shkuar në banesë në momentin që është qëlluar me armë zjarri nga makinë në lëvizje. Autori e ka qëlluar tre duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa përpos postblloqeve, burime për Report Tv thonë se blutë janë vendosur në ndjekje të një makine, e cila është larguar në drejtim të Dajtit, ku dyshohet se janë fshehur autorët. Ndërkohë që janë marrë në pyetje dhe shoqëruar 5 dëshmitarë që ndodheshin në zonë për të identifikuar autorët, pasi zona ku ndodhi vrasja nuk ka kamera sigurie. Autorët janë kujdesur që të mos lenë gjurmë duke zgjedhur një rrugicë në errësirë për t’i bërë pritë duke e vrarë të riun.
Ende nuk dihen shkaqet, por duket se vrasja e tij ka lidhje me hakmarrjen, pasi babai i tij është dënuar me burg përjetë. Babai i viktimës, Avni Majollari është dënuar me burg përjetë për dy vrasje dhe ngjarja e sotme dyshohet se ka lidhje pikërisht me hasmërinë. Avni Majollari është arrestuar në maj të vitit 2014, pasi ishte në kërkim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin datë 11.01.2001, e ka dënuar me “Burgim të përjetshëm”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 & 278/2 të Kodit Penal”- njofton policia. Sipas policisë, në vitin 2000 Avni Majollari ka vrarë pas një konflikti me armë zjarri Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin në segmentin rrugor Tiranë – Dajt.
Gjatë momentit së arrestimit, Avni Majollari mbante në dorë një pistoletë tip “TT” ku dhe pas kontrollit të imtësishëm në banesës iu gjet një automatik kallashnikov; një pistoletë tip “Cervena Zastava” si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municionesh. Ndërkohë që për vrasjet është dënuar Endrit Majollari, që është djalit i xhaxhait të Marjos i dënuar me 10 vite burg .
Ndërkohë, viktima nuk ka precedent penal dhe një fakt i tillë përforcon pistën e parë të hakmarrjes ku po hetohet.
Vrasja e sotme në kryeqytet është e radhës e një serie ngjarjes të fundit që kanë ndodhur në kryeqytet. Kujtojmë që pak kohë më parë u vra në Bllok biznesmeni Memli Begalla, ndërsa autorët u arrestuan.