Conor McGregor rrezikon ti hiqet titulli kampion edhe pse ai është rikthyer në palestër, që do të thotë se është gati për tu rikthyer ne kafaz. Sipas disa zërave flitet që ky rikthim të ndodhë gjatë shtatorit dhe jo në verë si ishte parashikuar. Kjo situatë ka irrituar pa masë presidenti i arteve marciale mikse, Dana White, që përmes një mesazhi ka deklaruar se irlandezit do t’i hiqet titulli kampion bote. Ndaj Dana White mund të vendosë që përballja mes Tony Ferguson dhe Khabib Nurmagomedov, që pritet të zhvillohet në mars, të jetë jo më për titullin e përkohshëm, por për titullin kampion.
“Conor ka thënë se synon të rikthehet në shtator, që do të thotë gati 2 vjet pas duelit të fundit. Por kjo nuk është e drejtë karshi të tjerëve. E dua Conor, e respektoj Conor, vlerësoj gjithçka që ai ka bërë për këtë sport, këtë gjë e dinë të gjithë dhe do ta them gjithnjë. Por titulli kampion duhet të mbrohet, gjërat duhet të lëvizin dhe ai nuk mund ta mbajë peng atë kaq gjatë. Ne po punojmë për duelin mes Khabib dhe Tony, ndaj Conor duhet ta mbrojë sa më shpejt ndaj tyre, ose ata do të duelojnë për titull”, tha Dana White. Sfida e fundit e irlandezit në kafaz daton në nëntor të 2016-ës, në UFC-205, kur mundi Eddie Alvarez, ndërsa vjet ai zhvilloi një duel në boks me Floyd Mayweather, ku u mund më “KO teknik”.