Detaje të reja janë zbuluar pas ndalimit të Kirjol dhe Azem Hajdarit në Muriqan më 2 janar.
Djemtë e Hajdarit kaluan disa orë në Policinë e Shkodrës, pasi rezultonin persona në kërkim nga Policia e Tiranës, me akuzën “plagosje e lehtë me dashje”.
Megjithatë, pas ndalimit të 32 dhe 19-vjeçarit dhe pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ata të lihen të lirë, ndërsa materialet hetimore i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.
Por, cili është shkaku i sherrit të djemve të Azem Hajdarit me 20-vjeçarin, më 27 dhjetor?
20-vjeçari Mikel Margjeka ka denoncuar në polici vëllezërit Hajdari për plagosje, duke pretenduar se e kishin goditur në trup dhe në kokë me sende të forta.
Sipas Margjekës, ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e Saukut, ku ai banon. Por me njërin prej djemve të Azemit, të voglin që mban edhe emrin e të atit, ishte përballur edhe një herë më parë, 3 ditë para ngjarjes, në Varrezat e Dëshmorëve. Sipas deklarimeve të Margjokës, por edhe të dy vëllezërve Hajdari, gjithçka ka ndodhur për shkak të një cigareje hashash.
Më datë 24 dhjetor 2018, djali i vogël i Azem Hajdarit ka shkuar te varri i të atit, te Varrezat e Dëshmorëve. Një ritual, për të cilin ai është shprehur në Polici, se e bënte herë pas here. Teksa i afrohej varrit të të atit, ka parë dy persona që po qëndronin aty.
Fillimisht ka menduar se mos ishin të afërm të tij, që ndodheshin aty për të njëjtin qëllim, por kur ka shkuar pranë tyre, nuk i ka njohur. Sipas tij, dy të rinjtë, njëri prej të cilëve Mikel Margjeka, i dënuar më parë për vjedhje, kanë qenë duke tymosur cigare me hashash te varri i babait të tij, shkruan Panorama.
Për Azemin 19- vjeçar, ky veprim ishte dhunim i varrit të të atit dhe ka debatuar ashpër me të rinjtë, duke i larguar nga aty. Debati me fjalë ka zgjatur pak minuta, ndërsa djali i Azemit është betuar se kjo ngjarje nuk do të mbyllej me kaq.
Tri ditë pas ngjarjes, ka ndodhur konflikti për të cilin ai me të vëllain, Kirjolin, u shpallën në kërkim.
Dy vëllezërit kanë shkuar në një lokal në zonën e Saukut, ku janë përballur me njërin nga djemtë që pinte hashash te varri i Azemit, shtetasin Mikel Margjeka. Aty ka nisur një debat e më pas konflikt fizik mes tyre.
Vëllezërit Hajdari dyshohen se e kanë goditur 20-vjeçarin Margjeka duke e plagosur lehtë. Ky i fundit, që sipas Policisë është person i dënuar më parë për vjedhje, ka pretenduar në Polici se është goditur me sende të forta në kokë dhe në trup.