Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që sapo fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet në Gjermani, është përmendur si fituese e mundshme e çmimit Nobel për paqen, për politikat e saj për refugjatët.
Ajo është lëvduar shumë për politikën e dyerve të hapura për emigrantët, në kohën kur Evropa përballej me një fluks prej qindra e mijëra refugjatëve, pjesa më e madhe e të cilëve largoheshin nga konfliktet në Lindjen e mesme. Në 2015-ën, ajo u tha gjermanëve se duhet të krenoheshin me mikpritjen e ofruar për qindra e mijëra azilkërkues, shumica prej tyre të larguar nga luftërat dhe përndjekja.
Të tjerë fitues të mundshëm, përmenden presidenti i Sri Lankës, Unioni Amerikan për Liritë Civile, ekipi i negociatorëve pas marrëveshjes bërthamore me Iranin, avokatja e të drejtave të njeriut, Amal Clooney për punën e saj me minoritetin e persekutuar Jazid, në Lindjen e mesme, Papa Francesku, Eduard Snouden etj.
Çmimi Nobel për paqen do të shpallet në Oslo të premten, më 6 tetor. Me vlerë 9 milionë krona suedeze, ose 1.12 milionë dollarë, ai do të dorëzohet në 10 dhjetor 2017.