Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj priti ambasadoren e Holandës në Shqipëri Dewi van de Weerd, e cila shoqërohej nga oficeri i kontaktit pranë misionit.
Gjatë takimit, Xhafaj e njohu ambasadoren me prioritetet e ministrisë së Brendshme në këtë mandat qeverisës, ku nënvizoi procesin e Vetting-ut në Polici, luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe parandalimin e azilkërkimit.
Po ashtu, ministri e njohu diplomaten me një sërë masash në forcimin e regjimit kufitar.
Ambasadorja vlerësoi punën e kryer dhe marrëdhëniet shumë të mira mes policive në të dy vendet, si dhe u shpreh e gatshme për të mbështetur prioritetet e reja të ministrisë së Brendshme, përmes asistencës teknike dhe logjistike.
Gjithashtu, ajo shprehu besimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të ardhmen, ndërsa pohoi se ka vërejtur masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për frenimin e fenomenit të azilkërkimit.
Bashkëbiseduesit ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, përmes intensifikimit të shkëmbimit të informacionit. Ambasadorja u shpreh e bindur se Vetting-u në Policinë e Shtetit do të rrisë besimin e qytetarëve.