Të paktën 18 persona vdiqën sot pas shembjes së një ndërtese në Bombai, njoftuan autoritetet indiane.
Ndërtesa katërkatëshe, ndodhej në zonën më të populluar të Bhendi Bazaar në zemër të këtij qyteti të madh, është shembur sot në mëngjes rreth orës 08:40 sipas orës lokale (03:10 GMT).
Gjatë pasdites, forcat e shpëtimit po vijojnë ende kërkimet nën gërmadha për gjetjen e të mbijetuarve. Autoritetet njoftuan se rreth 40 persona ndodheshin brenda godinës në momentin e aksidentit.
“Tetëmbëdhjetë persona vdiqën. Dymbëdhjetë janë dërguar drejt qendrave spitalore”, deklaroi për median, Vijay Khabale-Patil, zëdhënës i bashkisë.
Shembjet e ndërtesave janë të shpeshta në Indi, kryesisht gjatë periudhës së musonit që shtrihet në harkun kohor nga qershori në shtator.