Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar mbi dyshimet e ngritura se LSI ka sponsorizuar sondazhin për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, të publikuar një ditë më parë nga IPR Marketing.
Duke marrë parasysh këtë sondazh ajo që ra në sy, ishte tkurrja e partive kryesore dhe shfaqja në skenën politike e LIBRA-s me 2.3 për qind në rang kombëtar. Ndërsa Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet nuk ka arritur dot as 2 për qindëshin, duke qëndruar në nivelin e 1.8 %.
Duke iu referuar këtij sondazhi gazetari i “Tirana Today”, pyeti kreun e kësaj force politike, Shpëtim Idrizi se si e gjykonte rezultatin e këtij sondazhi.
Idrizi u shpreh se ky është një sondazh që nuk përputhet aspak me realitetin e kësaj force politike. “Unë nuk e di si ta shpjegoj. Po di që si gjithmonë ky lloj sondazhi na ka nxjerrë në 3 sondazhet gjithmonë poshtë realitetit, vetëm në exit-poll i afrohej realitetit. Por, nuk ndikohemi se e njoh këtë teknikë për llogari të dikujt aq më shumë që me partitë e vogla marzhi i gabimit është 3 për qind. Aq votues sa na nxjerr ky sondazh, unë i kam në hapjen e fushatës në Pallat të Kongreseve”, theksoi Idrizi.
Në komunikimin e vazhdueshëm për këtë çështje mes gazetarit të “Tirana Today” dhe PDIU, një simpatizante e kësaj force politike hodhi dyshimin se një sondazh i tillë ishte i sponsorizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ky lajm i botuar në “Tirana Today” është keqinterpretuar edhe nga mediat e tjera, se ky dyshim ishte artikuluar nga z. Idrizi. Për këtë arsye, “Tirana Today” sqaron opinionin publik se ky rast ishte një keqkuptim, duke iu referuar artikulimit të simpatizantes së PDIU-së, e cila shprehu mendimin e saj personal dhe që sipas PDIU nuk ka aspak lidhje me qëndrimin zyrtar të kësaj force politike.